Avokatët mohojnë akuzat: Prokuroria nuk ka asnjë provë

Arrest me burg ka vendosur gjykata për Arlind Tabakun dhe Përparim Shurdhin që akuzohen si bashkëpunëtorë të trafikut të 2.6 tonëve kanabis që u kap në një kamion në Mal të Zi.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura në Gjykatën e Shkodrës, ndërsa prokuroria akuzon Tabakun se është personi që i ka siguruar magazinën shoferit të kamionit, Elvis Çalik që u arrestua 4 ditë më parë në Mal të zi.

Sipas hetuesve, Çalik i ka kërkuar Tabakut t’i gjejë nje objekt me qira për të magazinuar frutat dhe perimet në Lushnje. Ndërsa Shurdhi është pronari i magazinës ku dyshohet se u ngarkua edhe sasia prej 2.6 ton kanabis.

Por të arrestuarit kanë mohuar akuzat duke thënë se nuk kanë asnje lidhje me drogën. Edhe avokatët mbrojtës pretendojnë se prokuroria nuk paraqiti asnjë provë që implikojnë të arrestuarit.

“Nuk ka asnjë lloj prove nga ana e prokurorisë. Arlind Tabaku dhe personi tjetër nuk kanë nxjerrë asnjë emër të personave të përfshirë siç pretendohet. Magazinën shoferi i kamionit ia ka kërkuar me qira sepse i ka thënë se dua të merrem me fruta perime duke qenë se zona e Lushnjes njihet për atë punë. Nuk ka asnjë provë që tregon se kamioni është ngarkuar me drogë tek magazina por vetëm shihet duke hyrë dhe duke dalë”.

Katër ditë më parë policia malazeze, e ndaloi kamionin që drejtohej nga Elvis Çalik pasi kishte dyshime se ishte ngarkuar me drogë. Kamioni ishte nisur nga Greqia me destinacion Gjermaninë, por ka bërë një ndalesë pranë rrethrrotullimit Plug-Savër, pranë autostradës Lushnje-Durrës, ku ka marrë edhe sasinë rekord të kanabisit.

Tv Klan