Të paktën 21 persona kanë humbur jetën, pasi një varkë që transportonte emigrantë dhe refugjatë është mbytur në brigjet veriperëndimore të Senegalit.
Ministria e Brendshme e vendit njoftoi se deri më tani janë nxjerrë nga deti 21 trupa, ndërsa vetëm një person është arritur të shpëtohet. Autoritetet theksuan se bilanci i viktimave është paraprak, pasi operacionet e kërkimit vijojnë, ndërsa familjarëve të personave të humbur po u ofrohet ndihmë.
Sipas raportimeve të mediave vendase, varka e tipit pirogë, me fund të sheshtë, u përmbys të shtunën pranë dunave të Loumpoulit, në Departamentin Kebemer, në zonën mes kryeqytetit Dakar dhe qytetit verior Saint-Louis. Gazeta senegaleze “Le Soleil” raportoi se shumica e viktimave ishin banorë të zonave Leona dhe Thieppe, që ndodhen në të njëjtin departament. Ende nuk dihet numri i saktë i personave që ndodheshin në bord në momentin e tragjedisë, ndërsa autoritetet po vijojnë kërkimet për të përcaktuar nëse ka të mbijetuar të tjerë.
Kjo tragjedi rikthen në vëmendje rrezikun e madh me të cilin përballen emigrantët që nisen nga brigjet e Afrikës Perëndimore drejt Ishujve Kanarie të Spanjës, duke përdorur mjete lundrimi shpesh të mbipopulluara dhe të papërshtatshme për udhëtime të gjata në det të hapur. Sipas organizatës për të drejtat e emigrantëve “Ualking Borders”, 635 persona kanë humbur jetën vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, ndërsa mijëra të tjerë janë viktima të kësaj rruge detare gjatë viteve të fundit.
Ndërkohë, autoritetet në ishullin El Hierro, pjesë e arkipelagut të Ishujve Kanarie, shpallën gjendjen e emergjencës të shtunën, pas rritjes së ndjeshme të mbërritjeve të emigrantëve me varka. Sipas të dhënave të autoriteteve lokale, që nga fillimi i muajit nëntor në ishull kanë mbërritur më shumë se 3,300 persona, të transportuar nga rreth 30 varka.
Fluksi i lartë i mbërritjeve ka shtuar presionin mbi strukturat pritëse dhe shërbimet e emergjencës në ishull.
/tvklan.al












Botërori 2026 
