Fondacioni i “Fëmijëve shqiptarë” me presidente zonjën Liri Berisha, ka filluar trajnimin e specialistëve të qendrës “Fluturo për Jetën” me metodat më bashkëkohore të trajtimit të fëmijëve të spektrit autik.

Ky trajnim bëhet në kuadër të projektit “Program-formimi në ndërhyrje të sjelljes për terapistë fëmijësh me çrregullime të spektrit autik”.

Projekti është një bashkëpunim i fondacionit “Fëmijët Shqiptarë” me asistencë profesionale nga “Autizëm Speaks” në New York dhe financohet nga fondacioni Vodafone Albania.

Ariel Çomo: “Bëhet fjalë për ngritjen i një ekipi njerëzish që do jenë të pajisur tani e më mbrapa me instrumente bashkëkohor të trajtimit të fëmijëve’”.

Projekti do të zbatohet në një periudhë 1 vjeçare gjatë secilës specialistët e qendrës do të trajnohen mbikëqyren dhe certifikohen profesionalisht nga ekspertë amerikanë të “Autizëm Speaks” në New York.

Në kuadër të këtij projekti do të hartohet dhe një model trajnimi në shqip, i cili do të përdoret më pas për të trajnuar dhe certifikuar specialistë të qendrave të tjera në këtë fushë.

Gjithashtu nëpërmjet këtij projekti fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” sjell në Shqipëri modelin standard të trajtimit të fëmijëve me çrregullime të spektrit autik, si dhe do të realizojë ndërtimin e infrastrukturës për trajnim në distancë të specialistëve.

Përfitues të projektit do të jenë fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit, familjet e tyre, si dhe profesionistët e asistencës së drejtpërdrejtë terapeutike për fëmijët autik në Shqipëri./tvklan.al

/tvklan.al