Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka ngritur shqetësime për transferimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliajt nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, duke vënë në pikëpyetje transparencën dhe ligjshmërinë e procedurës.

Pas pretendimeve të bëra publike nga kryebashkiaku i pezulluar, KShH zhvilloi më 30 tetor një mision monitorimi në IEVP Fier, ku verifikoi procedurat e transferimit dhe kushtet e trajtimit të tij. Sipas raportit, një nga problematikat kryesore lidhet me mosvënien në dispozicion të urdhrit të transferimit dhe mungesën e shpjegimit të arsyeve konkrete që çuan në marrjen e këtij vendimi.

Veliaj ka deklaruar se më 28 tetor iu komunikua transferimi, pa iu dorëzuar dokumentacioni përkatës dhe pa iu bërë fillimisht e ditur as institucioni ku do të dërgohej. KShH thekson se urdhri e justifikon lëvizjen vetëm me formulimin e përgjithshëm “për arsye sigurie”, ndërsa dokumenti është klasifikuar “i kufizuar”, me afat deri në dy vjet.

Sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit, situata ngre pikëpyetje për transparencën e vendimmarrjes dhe pengon ushtrimin efektiv të së drejtës së ankimit nga i paraburgosuri.

Reagimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në vijim të pretendimeve të bëra publike nga i paraburgosuri Erion Veliaj lidhur me transferimin e tij nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës në IEVP Fier, zhvilloi më 30 tetor 2026 një mision monitorimi për verifikimin e procedurave të ndjekura dhe kushteve të trajtimit të tij.

Gjatë monitorimit, përfaqësuesi i KShH-së takoi të paraburgosurin, dhe u takua me drejtuesit dhe personelin përgjegjës të IEVP Fier.

Nga monitorimi rezultuan problematika që ngrenë shqetësime për respektimin e garancive ligjore gjatë transferimit, transparencën e vendimmarrjes administrative, mundësinë e ushtrimit të së drejtës së ankimit, komunikimin me familjarët, vazhdimësinë e kujdesit shëndetësor dhe kushtet e trajtimit në paraburgim.

KShH thekson se statusi i një personi si i paraburgosur nuk e zhvesh atë nga të drejtat që nuk i janë kufizuar me ligj ose me vendim gjyqësor.Autoritetet penitenciare kanë detyrimin t’i garantojnë këto të drejta pa diskriminim, pavarësisht identitetit, funksionit publik apo akuzave me të cilat përballet.

1. Transferimi me një urdhër të klasifikuar dhe pengesat për ankimin efektiv

Një nga gjetjet më shqetësuese të monitorimit lidhet me mungesën e komunikimit të urdhrit të transferimit dhe të arsyeve konkrete që e kanë diktuar këtë vendim.

USipas deklarimeve të të paraburgosurit, transferimi iu njoftua më 28 tetor, pa iu vënë në dispozicion dokumentacioni përkatës dhe pa iu shpjeguar fillimisht as institucioni ku do të dërgohej.

Motivi i urdhrit të transferimit, shënohej në mënyrë të përgjithshme, “për arsye sigurie”, ndërsa dokumenti mbante klasifikimin “i kufizuar”, me afat deri në dy vjet.

/tvklan.al