Tijjani Reijnders ka zbuluar në një intervistë të fundit arsyen e vërtetë të transferimit në Arabinë Saudite, nga Manchester City.

Mesfushori holandez u transferua te skuadra e Al-Qadsiah gjatë merkatos së verës për shifrën e 60 milionë eurove. Megjithëse fillimisht foli për ambicien për t’u bërë ylli më i madh, 28-vjeçari tashmë ka folur “pa doreza”.

Reijnders pranoi hapur se siguria financiare ishte faktori kryesor që e shtyu drejt këtij vendimi. Me një kontratë 5-vjeçare nga e cila do të përfitojë mbi 100 milionë euro, ai u shpreh se nuk mund të mohojë dashurinë për paratë. Ish-lojtari i Milanit theksoi se kjo lëvizje i garanton mirëqenien financiare jo vetëm vetes, por edhe të brezave të ardhshëm.

“A jam një adhurues i parave? Nuk mund ta mohoj. Pasi të mbarojë karriera ime si lojtar, nuk dua të punoj më. Sigurisht, ndoshta nuk do të më duhej të punoja më pasi të mbaronte kontrata ime me Manchester City-n, por ky transferim më lejon të siguroj të ardhmen e brezave të ardhshëm të familjes sime.

Nuk do të gënjej për këtë. Duke nënshkruar këtë kontratë, mund të sigurohem që edhe nipërit dhe mbesat e mia do të jenë të sigurtë financiarisht. Kështu që pse jo?!”, deklaroi Reijnders.

/tvklan.al