Halloween-i ka sjellë edhe këtë vit një spektakël të vërtetë në Hollywood, ku personazhet e njohur botëror kanë konkurruar me kostumet dhe transformimet e tyre të pazakonta. Nga krijesat e errëta dhe personazhet e përrallave, te rikthimi i veshjeve ikonike të viteve të mëparshme, yjet kanë tërhequr vëmendjen me zgjedhjet e tyre.

Megan Fox, sirenë e errët mes shkëmbinjve

Megan Fox zgjodhi të shndërrohej në një sirenë misterioze, me një pamje që ndërthurte elegancën me elementet e frikshme. Aktorja u shfaq me një bust të argjendtë, bisht të krijuar me rrjeta gri, doreza dhe gurë dekorues në fytyrë, ndërsa grimi në nuanca argjendi dhe vjollce plotësonte transformimin. Fotot i shoqëroi me mesazhin: “Kënga ishte kurthi dhe deti ishte varri”, duke iu referuar sirenave mitologjike.

Rita Ora, në versionin e legjendës së muzikës country, Dolly Parton

Rita Ora zgjodhi t’i kushtonte homazh këngëtares së njohur Dolly Parton, duke u shfaqur në festën e Halloween-it në New York me një pamje të frymëzuar prej saj. Këngëtarja veshi një këmishë të lidhur në bel, duke zbuluar barkun, pantallona xhins dhe rrip e këpucë me taka të kuqe. Transformimin e plotësoi me paruke bionde, në stilin karakteristik të Parton, grim me hije bojëqielli dhe aksesorë të mëdhenj e shumëngjyrësh.

Zendaya rikthen në jetë një veshje ikonike të Halle Berry

Zendaya vendosi të mos zgjidhte një personazh horror, por të rikrijonte një prej paraqitjeve më të famshme të Halle Berry në tapetin e kuq, nga viti 2000. Ajo veshi kombinimin e Lanvin, me një bluzë në stil bikini me motive dhe pantallona të së njëjtës linjë, duke e kompletuar pamjen me syze kafe, këpucë me majë dhe modelin e shkurtër të flokëve të aktores. Rikrijimi mori edhe miratimin e vetë Halle Berry, e cila reagoi me zemra të kuqe në rrjetet sociale.

Leonardo DiCaprio dhe Vittoria Ceretti, Kësulëkuqja dhe ujku i keq

Çifti Leonardo DiCaprio dhe Vittoria Ceretti zgjodhi një dyshe të njohur nga përrallat për festën e Halloween-it të organizuar nga Kendall Jenner. Modelja u shfaq si Kësulëkuqja, me një pelerinë të kuqe, fustan me korse të zezë, çorape me llastikë dhe një shportë të vogël në dorë. Ndërsa aktori u maskua si ujku i keq, duke zgjedhur veshje të thjeshta, një kapele të zezë bejsbolli dhe një maskë me dhëmbë të gjatë.

Heidi Klum, transformimi ekstrem në një dorë të prerë

Heidi Klum, e njohur për kostumet e saj ekstreme të Halloween-it, këtë herë u shfaq e maskuar si një dorë gjigante e prerë. Kostumi kishte thonj të mëdhenj të kuq, vena të përgjakura dhe një plagë të hapur, ku ishte vendosur fytyra e modeles, duke e bërë pothuajse të panjohshme. Klum zbuloi se transformimi i saj kërkoi rreth gjashtë orë punë, ndërsa në festë u shfaq e shoqëruar nga një grup personash me kostume mbrojtëse të verdha.

Kim Kardashian shndërrohet në vajzën e saj, North West

Kim Kardashian vendosi të festonte Halloween-in duke u shfaqur si vajza e saj e madhe, North West, të cilën e ka nga martesa me reperin Kanye West. Për të rikrijuar stilin e saj, ylli i reality show-t adoptoi flokët karakteristikë në ngjyrë blu-turkeze, piercing-et, thonjtë e gjatë dhe grilat e zeza mbi dhëmbë. Pamjen e kompletoi me një veshje bardhezi, të frymëzuar nga stili alternativ i vajzës së saj.

Paris Hilton dhe familja e saj rikrijojnë personazhet e “Beauty and the Beast”

Paris Hilton zgjodhi një kostum familjar të frymëzuar nga filmi i animuar “Beauty and the Beast”, duke u shfaqur si Belle. Bashkëshorti i saj, Carter Reum, mori rolin e Bishës, ndërsa fëmijët e tyre, Phoenix dhe London, u maskuan përkatësisht si Lumière dhe Chip. Zgjedhja e veshjeve shkaktoi diskutime në rrjetet sociale, por Hilton sqaroi se nuk kishte synuar të merrte vëmendjen nga fëmijët, duke theksuar se Chip është personazhi i preferuar i vajzës së saj në film.

Harry Styles rikthehet në vitet ’70 si Elvis Presley

Harry Styles solli në skenë stilin ikonik të Elvis Presley-t gjatë koncertit të tij të parë “Harryween”, më 30 tetor, në Madison Square Garden. Këngëtari u shfaq me një kostum të bardhë, pelerinë dhe syze dielli, duke rikrijuar pamjen karakteristike të Mbretit të Rock-ut gjatë koncerteve të tij në Las Vegas në vitet ’70. Në publik ishte edhe Riley Keough, mbesa e vetë Elvis Presley-t.

Christina Aguilera dhe Chappell Roan, protagoniste të një karnavali të frikshëm

Christina Aguilera organizoi festën e saj të përvitshme “Xtinaween”, ku e ftuar ishte edhe këngëtarja Chappell Roan. Me temën “Creepy Carnival: After Dark”, Aguilera u shfaq si një kloun harlekin fantastik, me një korse të krijuar posaçërisht nga Agro Studio. Festa u kthye në një tjetër spektakël kostumesh, ku muzika pop dhe atmosfera e frikshme e Halloween-it u ndërthurën në një mbrëmje të veçantë.