Shqipëria po përmirëson pozicionin e saj në vlerësimet ndërkombëtare për menaxhimin e financave publike dhe klimën e inovacionit.

Sipas indeksit GTETI 2026, vendi ka avancuar në renditjen për transparencën e shpenzimeve tatimore, falë publikimit më të detajuar të të dhënave mbi përjashtimet fiskale, lehtësitë dhe incentivat tatimore.

Ministria e Financave vlerëson se ky përmirësim rrit kontrollin mbi përdorimin e fondeve publike dhe forcon besimin e investitorëve tek ekonomia shqiptare.

Raporti evidenton progres në raportimin dhe monitorimin e politikave fiskale, duke e afruar Shqipërinë me standardet ndërkombëtare të transparencës.

Në të njëjtën kohë, Shqipëria është renditur e katërta në Evropë për rritjen e ekosistemit të startup-eve. Sipas raportit global të StartupBlink për vitin 2026, vendi u ngjit me 8 pozicione në renditjen botërore, duke arritur e 75-ta globalisht, me një rritje vjetore prej mbi 71 për qind.

Raporti vlerëson ndikimin e reformave në inovacion, krijimin e “Startup Albania” dhe mbështetjen me grante për sipërmarrjet e reja.

Vetëm gjatë këtij viti, skemat mbështetëse të inovacionit kanë tërhequr mbi 1 mijë aplikime.

Autoritetet e konsiderojnë këtë progres si sinjal të një ekonomie që po orienton zhvillimin drejt inovacionit, formalizimit dhe standardeve europiane të menaxhimit financiar.

/tvklan.al