Transportonin kundrejt pagesës 4 shtetas kinezë drejt kufirit me Greqinë, policia sekuestron dy automjete. Njëri prej të dyshuarve u arratis gjatë ndërhyrjes.

Një 19-vjeçar është arrestuar nga Policia Kufitare e Sarandës, ndërsa një 21-vjeçar nga Kosova është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ndihmonin kundrejt pagesës shtetas të huaj për të kaluar ilegalisht kufirin drejt Greqisë.

“Në pranga përfundoi shtetasi M. M., 19 vjeç, banues në Konispol, ndërsa në kërkim u shpall A. S., 21 vjeç, banues në Kosovë”, njofton policia.

Sipas Policisë, dy të rinjtë kishin role të ndara në këtë veprimtari. 19-vjeçari monitoronte rrugën për të evidentuar praninë e forcave të policisë, ndërsa bashkëpunëtori i tij transportonte me automjet katër shtetas kinezë, të cilët synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme në territorin grek.

Gjatë ndërhyrjes së policisë, në afërsi të Konispolit, 21-vjeçari braktisi automjetin dhe u largua me vrap, duke përfituar nga terreni dhe errësira.

Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi dy automjetet e përdorura për këtë veprimtari.

Ndërkohë, vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të rastit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprime të mëtejshme.

/tvklan.al