Evoluimi i jetës së secilit prej nesh përcaktohet nga ndryshimet e pashmangshme fizike dhe psikologjike  që reflektojnë edhe përshtatjen ndaj rrethanave. Të ftuarit e programit “Shije  Shtëpie” në Tv Klan shpjeguan sfidat fizike që vijnë me moshën, problemet e shëndetit, ndikimin e stilit të jetesës dhe aktivitetit fizik.

Njëkohësisht, emocionet, mendimet dhe gjykimi përgjatë jetës ndryshon. Në rini mbizotëron pasiguria, dëshira për të provuar gjëra të reja, pavendosmëria, ndërsa në moshë të rritur jemi më të gatshëm për të ndërmarrë përgjegjësi, kurse profesioni e marrëdhëniet bëhen më të rëndësishme.

Sigurisht, rrugëtimi nuk është linear dhe ka disa kthesa të forta, mbase edhe traumatike që lënë gjurmë.  Edit Mihali ndau përjetimin e saj për këtë aspekt, duke e lidhur gjithnjë me profesionin. Trauma e saj më e madhe profesionale, të cilën s’heziton ta pranojë është largimi nga skena. Ajo thotë se ka pasur një kërkesë për t’u rikthyer, por përgjigjja i ka qëndruar fort besimit te dinjiteti artistik e njerëzor.

“Për një artist të skenës, për një njeri të skenës, për një personazh të skenës, vuajtja më e madhe në profesion është kur ti nuk del më në skenë. Ajo është e paimagjinueshme, e papërshkrueshme dhe e pakuptueshme nga të tjerët. Ajo është trauma e parë që merr, por ajo do atë forcën që në fund të fundit kjo është për të gjithë, mosha është për të gjithë dhe çdo fillim ka edhe një fund. Në një moment ishim po këtu në Klan, tek Arditi dhe mua më merrte malli që t’i thoja nuk do të dalësh në skenë, me këngën, me  këtë dhe ashtu e ndërsjellë më erdhi një person dhe më tha, ‘Edit, kemi qejf të dalësh’, dëgjo i thashë,  duhet të dalësh e dëshiruar, jo e mëshiruar kështu që  duhet  lënë në kohën e duhur, por do edhe forcën tjetër që ti t’ia gjesh vetes. Prandaj them që është ai fati që ti ke mundësi ta japësh profesionin tënd, por trauma do një forcë të jashtëzakonshme për ta kaluar, do edhe rrethin familjar. Dikush mund të të bëjë të vuash, por dikush mund të të thotë shiko se ke edhe mundësi të tjera”, përfundoi Edit Mihali./tvklan.al