“Tre vendet e fshehta mesdhetare që po njihen si destinacione që duhen vizituar patjetër”.

Kështu nis kryetitulli i “Travel Off Path”, që ka në fokus të shkrimit një ekspert udhëtimesh, i cili rendit Shqipërinë si vendin e parë për t’u vizituar, duke lënë pas Turqinë dhe Malin e Zi.

Në brendësi të artikullit shkruhet se nuk ka dyshim, Shqipëria është vendi më në modë i Mesdheut dhe, nëse pyesni se ku të shkoni përgjatë brigjeve piktoreske të saj, do të merrni një mori përgjigjesh të ndryshme.

“Travel Off Path” shkruan se një prej destinacioneve që ia vlen për t’u vizituar është Himara, një vend i bukur dhe pa turma. Plazhi i bukur ndodhet në një vend të përsosur përgjatë Rivierës Shqiptare, duke u ofruar vizitorëve brigje blu, gjire ku mund të notosh, darka në ajër të pastër dhe udhëtime ditore në Jalë dhe Gjipe aty pranë, për ujëra edhe më të kristalta.

Në artikullin për Shqipërinë, “Travel Off Path” nënvizon se nuk keni pse të shkoni larg zonës së Himarës, pasi ka plazhe të shumta për të vizituar pranë njëri-tjetrit, secili me stilin unik.

Një destinacion tjetër është edhe plazhi i Potamit dhe ai i Livadhit, dy pika turistike të cilat nuk kanë shumë turma plazhistësh e turistësh.

Ndërsa për vendndodhjen ideale buzë detit, duhet të vizitoni Porto Palermon, një zonë e fshehur me një kështjellë mahnitëse dhe me plazhe të qeta.

Në përmbyllje të shkrimit të “Travel Off Path”, që e rendit Shqipërinë si një nga 3 destinacionet më të bukura mesdhetare për t’u vizituar, përmendet edhe qyteti i vjetër i Himarës, së bashku me kalanë.

Pas një dite të këndshme në plazh, duhet edhe një shëtitje nëpër Qytetin e Vjetër të Himarës, i cili është vërtet si një kapsulë kohe.

Klan News

/tvklan.al