“Nëse doni të shkoni në Evropë këtë verë, por ende nuk keni vendosur për një destinacion, mos u habisni nga çmimet e shtrenjta”. Ndaj, agjencia e njohur e rekomandimeve turistike “Travel Off Path” ka bërë një listim me 4 nga destinacionet më të favorshme për të pushuar. E para në këtë renditje është Vlora.
“E shtrirë midis maleve dhe detit, Vlora është destinacioni kryesor turistik në bregdetin e Shqipërisë, ish-perla e fshehur e një vendi që është bërë pika e nxehtë e verës në Evropë dhe nuk është e vështirë të kuptohet pse,” thuhet në shkrim.
Sipas “Travel Off Path”, Vlora është një qytet i qetë me një qendër historike të rinovuar së fundmi, e cila i sjell në jetë trashëgiminë e pasur osmane të Shqipërisë, dhe një bregdet në zhvillim të shpejtë, të mbushur me apartamente shumëkatëshe, bare plazhi plot gjallëri dhe taverna mikpritëse që shërbejnë ushqime deti të freskëta gjatë gjithë ditës.
Në shkrim thuhet se Vlora është një destinacion i ri në Mesdhe, që për vite të tëra anashkalohej nga turistët, pasi i mungonte infrastruktura e duhur. Shkrimi thotë se kjo zonë ka njohur investime të rëndësishme vitet e fundit, deri edhe një aeroport që pritet të hapet vitin e ardhshëm.
Përkrah Vlorës, “Travel Off Path” rekomandon edhe Ohrin në Maqedoninë e Veriut, Nesebarin në Bullgari dhe Batumin në Gjeorgji.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 