11 shtator 2026 – Çelesta Bilçari ka ndarë me publikun historinë e saj prekëse dhe të mbushur me sfida drejt realizimit të ëndrrës për t’u bërë nënë.

Përmes një rrëfimi të sinqertë në studion e emisionit “Rudina”, në Tv Klan, ajo u ndal te goditjet e para shëndetësore, presionin shoqëror dhe rrugëtimin e gjatë me procesin e fekondimit in vitro (IVF).

Sfidat për familjen e saj nisën disa vite më parë, ku goditja e parë emocionale erdhi nga aborti spontan në shtatzëninë e saj të parë.

“Ka filluar në 2022-shin dëshira e madhe e një çifti për t’u bërë prindër dhe aty pastaj filloi edhe gjithë karvani i vuajtjeve tona. Unë kam qenë shtatzënë dhe aty kam kaluar një abort spontan. Kishim dëgjuar që abortet spontane në shtatzëninë e parë mund të ndodhte, por gjithmonë kur ndodh nuk është aq e thjeshtë sa ne lexojmë ose mund të kemi dëgjuar ose parë diku tjetër. Dhe nga aty pastaj përveç lotëve, ka qenë shumë vështirë për t’u përballuar se kishim menduar gjithmonë që mund të kishim një familje të vogël dhe të lumtur me jo me kaq shumë vështirësi”, tha ajo.

Edhe gjatë procedurave mjekësore të mëvonshme, vështirësitë nuk u ndalën, duke lënë gjurmë të thella që nuk fshihen lehtësisht edhe pas arritjes së qëllimit.

“Dhe në procesin e in vitros, unë kam pasur një shtatzëni jashtë mitre. Gjërat nuk harrohen asnjëherë. Unë nuk mund ta harroj se kam dëgjuar shpesh që thonë “ke vajzën, pse e mban mendjen aty, kjo ka kaluar”. Ka qenë një përjetim që nuk harrohet, asnjë gjë nuk harrohet. Vuajtjet, karvani i vuajtjeve që ti ke kaluar nuk harrohet asnjëherë. Thjesht, ndoshta ti merr forcën për të mos u dorëzuar dhe për të arritur pikërisht qëllimin që ti do”, tha ajo.

Një tjetër pengesë me të cilën Çelesta u përball ishte stigma sociale dhe paragjykimet e rrethit familjar e shoqëror rreth fertilitetit, çka e shtyu atë të thyejë heshtjen publikisht.

“Në momentin që e kam folur dhe në familje, që “shiko se ne tani do nisemi me një proces IVF-i, sepse kështu janë kushtet”, kam dëgjuar shpesh “mos ta marri vesh njeri”, “mbaje për vete”, “pse i duhet botës kjo gjë?”, “është turp”. Kjo pastaj është një komplet temë tjetër, derisa unë thashë “mjaft më, unë nuk dua që vuajtjen time ta mbaj si brengë, se ndonjëherë njeriu merren forcë edhe kur e flet atë gjë”. Dhe thashë “unë dua ta ngrej zërin jo vetëm për vete, ka shumë nëna dhe vajza që në momentin që unë kam hapë atë faqen e Instagram-it, më kanë shkruar pa fund ‘sa do donim që të kishim forcën tënde për ta folur'”, tha ajo.

Në mbyllje të rrëfimit të saj, ajo nënvizoi mungesën e informacionit në shoqëri për IVF-in dhe statistikat e vështira mjekësore me të cilat u përball gjatë procesit. Gjithashtu, duke u ndalur tek eksperienca e saj, ndau me publikun se nga 69 vezë, vetëm dy ja dolën në fund, por ajo mori dhuratën më të bukur, të qënurit nënë e një vajze të shëndetshme.

“Në fillim kur unë e kam nisur si rrugëtim, mendova se me ciklin e parë, me procesin e parë unë do mbetesha shtatzënë. Nuk kisha shumë informacion se dhe nuk është se është e përfolur ose ne nuk e kemi në shtëpitë tona ose në kulturën tonë për të folur për diçka të tillë. Nuk kisha fare informacion. Kam folur për herë të parë me klinikën e infertilitetit dhe ma ka shpjeguar nga fillimi deri në fund. Ka raste dështimesh, ka raste që ti do t’ia dalësh. Por ne asnjëherë nuk duhet të humbim shpresën. Dhe rruga e IVF-it po, është e vështirë. Mos ta themi tani si një cikël ose një proces kaq i thjeshtë. Nuk është aq i thjeshtë. Nuk e di në qoftë se ato embrionët e vegjël që janë aty duke luftuar do t’ia dalin apo jo. Unë kam pasur shumë dështime gjatë kësaj rrugës. Nga totali i tre cikleve, diku te 69 vezë, ja kanë dalë vetëm dy në fund fare”, tha ajo.

/tvklan.al