Edukimi financiar nuk duhet të presë derisa fëmijët të rriten. Sipas ekspertes së financave dhe themelueses së “Little Millionaire Lab”, Ledia Fortuzi, njohja me paranë mund të nisë që në moshën tre vjeçare, përmes lojërave dhe shembujve të thjeshtë në familje.

E ftuar këtë të premte, më 6 nëntor, në emisionin “Shije Shtëpie”, ajo shpjegoi se si prindërit mund t’u mësojnë fëmijëve vlerën e parasë, kursimin dhe respektimin e pronës së të tjerëve.

Fortuzi theksoi se fëmijët duhet të mësohen që herët se jo çdo gjë mund të jetë e tyre dhe se burimet janë të kufizuara. Sipas saj, ky edukim nis me veprime të vogla të përditshme, përmes të cilave ata kuptojnë edhe rëndësinë e respektimit të gjërave personale të të tjerëve.

“Gjithçka mendoj nis që në fëmijëri. Që në moshën e hershme, madje unë do sugjeroja që në moshën tre vjeç. Ti e mëson dhe edukon që jo çdo karamele është e jotja. Domethënë, me gjëra shumë të vogla, me ato gjërat minimale në familje, ku ti tregon që gjërat janë të kufizuara, jo çdo gjë është pa limit.”

Një nga metodat që Fortuzi rekomandon për fëmijët që nga mosha 5-6 vjeç është përdorimi i tre kavanozëve, ku fëmijët mësojnë të mos i shpenzojnë të gjitha paratë që marrin, por t’i ndajnë ato sipas një sistemi të caktuar.

“Kavanozët janë tre enë qelqi që ne i krijojmë bashkë me fëmijën në një formë loje dhe çdo para të marrë ne e ndajmë nëpër këto kavanoza. Asnjëherë të gjitha paratë nuk i fusim te kavanozi i kursimit dhe asnjëherë te kavanozi i shpenzimit. Por duhet t’i ndajmë në kursim, shpenzim dhe pastaj dhurim. Dhe ne gradualisht krijojmë rregulla, krijojmë një sistem. Është shumë i rëndësishëm sistemi, ku kavanozin e kursimit ne nuk e prekim kurrë. Ka një arsye që ne e kemi atë kursim, do të kemi një qëllim për një investim të mëvonshëm, sepse fëmija në një moshë të caktuar mund të fillojë të krijojë bizneset e veta të para.”

Ekspertja theksoi se fëmijët duhet të shpërblehen për punë konkrete që kryejnë, por jo për detyrat e tyre të zakonshme në familje, si rregullimi i dhomës apo mbajtja e pastërtisë.

“Punët e shtëpisë janë detyra. Rregullimi i dhomës është detyrë e fëmijës. Ne mund t’i kërkojmë një diçka ekstra, por jo t’i paguajmë për detyrat, sepse nesër fëmija do të bëhet ai që t’i kërkosh një puthje dhe të të thotë: ‘Më jep lekë’.

Ekspertja tregoi edhe rastin e saj konkret ku djali i saj ka krijuar një marrëveshje me të atin, sipas së cilës paguhet për punën që kryen në biznesin e familjes gjatë fundjavës.

“Ka një kontratë me babin e vet që kur punon do paguhet, për kaq punë të bërë do marrë këtë pagë. E ka bërë vetë me fjalët e veta, si kishte dëshirë ai dhe ranë dakord që do ta firmosnin të dy. Bën rolin e shitësit dhe paguhet për dy ditë të fundjavës. Tani ka ndryshuar rregulli dhe është vetëm një herë në muaj. Si një pagë e mirëfilltë që djali të fillojë dhe t’i ndajë me rregull. Këtu hyn pjesa e ndarjes në ato kavanozat, që unë i mëshoj shumë.”


/tvklan.al