Dy vëllezër shqiptarë dhe një i ri malazez mbetën të vrarë këtë të martë, 21 prill, në lagjen Aerodromi i Vjetër në Podgoricë të Malit të Zi. Ata janë Denis dhe Nezrin Hoti, përkatësisht 27 dhe 28 vjeç, ndërkohë viktima që mësohet se është shtetas malazez është ende i paidentifikuar.
Policia thotë se trupat e pajetë të viktimave janë gjetur në brendësi të një apartamenti, teksa jep detaje rreth autorit të dyshuar.
Ai është Vehid Muriç, 25 vjeç, që shihni edhe në këtë foto, me origjinë nga Rozhaja e Malit të Zi. Vrasësi i dyshuar është shpallur në kërkim dhe fotografia e tij është shpërndarë nga policia, duke i kërkuar ndihmë qytetarëve me qëllim lokalizimin.
Sipas mediave malazeze, krimi nuk lidhet me një përplasje mes grupeve kriminale, por dyshohet se ndodhi pas një konflikti mes autorit dhe viktimave.
Të katërt mësohet se jetonin së bashku në një apartament me qira në Podgoricë, aty ku ndodhi edhe krimi i rëndë, ndërsa punonin së bashku në një kantier ndërtimi.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar besohet se është larguar drejt qytetit të tij të lindjes, Rozhajë, ku dyshohet se ka ushtruar dhunë edhe ndaj nënës së tij në shtëpinë e tyre.
Ka qenë pikërisht familja që ka njoftuar policinë për incidentin, çka ka çuar më pas në zbulimin e krimit në Podgoricë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 