Tregu shqiptar i punës po përjeton një transformim të vazhdueshëm. Zgjerimi i turizmit, ndërtimit dhe industrisë përpunuese ka rritur kërkesën për punonjës, ndërsa bizneset përballen gjithnjë e më shumë me vështirësinë për të gjetur profilet e duhura profesionale. Pavarësisht mijëra vendeve të lira të punës që publikohen çdo muaj, përputhja mes kërkesave të punëdhënësve dhe aftësive të punëkërkuesve mbetet një sfidë e rëndësishme.

Në një intervistë për emisionin “Pro Business” në TV Klan, Gertiola Çepani, Drejtore e Shërbimeve të Tregut të Punës pranë Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, thekson se në portalin kombëtar puna.gov.al publikohen mesatarisht 5 mijë e 500 deri në 6 mijë e 500 vende të lira pune në muaj, ndërsa rreth 65 mijë punëkërkues të papunë janë të regjistruar. Sipas saj, ndërmjetësimi vështirësohet nga mungesa e aftësive të kërkuara, vendndodhja, pagat dhe kushtet e punës.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet integrimit të të rinjve përmes skemës së Garancisë Rinore, e cila tashmë është shtrirë në të gjithë vendin. Rreth 5 mijë persona janë konfirmuar në këtë skemë dhe mbi 3 400 të rinj janë integruar në tregun e punës përmes ndërmjetësimit, programeve të nxitjes së punësimit dhe formimit profesional. Ndërkohë, AKPA ofron edhe praktika profesionale pranë bizneseve dhe institucioneve publike, duke synuar lehtësimin e kalimit nga arsimi në punësim.

Një tjetër zhvillim është rritja e punësimit të shtetasve të huaj, si përgjigje ndaj nevojave të bizneseve për fuqi punëtore. Të dhënat e AKPA-së tregojnë se në gjashtë muajt e parë të vitit 2026 janë miratuar 12 mijë e 348 aplikime për punësimin e shtetasve të huaj, rreth 68% e totalit të vitit 2025.

Paralelisht me këto zhvillime, një tjetër tendencë po fiton rëndësi: interesi i kompanive të huaja për talentet shqiptare. Në një intervistë për “Pro Business”, Eljona Shkreli, eksperte e investimeve në SHBA-të, vlerëson potencialin profesional të të rinjve shqiptarë dhe interesin në rritje të kompanive amerikane për rekrutimin e tyre, veçanërisht në fushat e financës, teknologjisë dhe inteligjencës artificiale. Sipas saj, disa kompani amerikane kanë nisur të krijojnë baza edhe në Tiranë, duke shfrytëzuar ekspertizën dhe aftësitë e profesionistëve vendas.

Megjithatë, për të tërhequr më shumë kapital të huaj, Shqipëria duhet të garantojë siguri juridike, rregulla të qarta dhe një mjedis të besueshëm për investitorët. Shkreli thekson se investimet duhet të orientohen përtej pasurive të paluajtshme dhe ndërtimit, duke përfshirë edhe startup-et dhe bizneset inovative. Në këtë drejtim, mentorimi, formimi profesional dhe krijimi i rrjeteve ndërkombëtare të kontakteve janë thelbësore për t’i ndihmuar sipërmarrjet shqiptare të depërtojnë në tregjet perëndimore.

Ajo vlerëson gjithashtu potencialin e skemave të granteve në Shqipëri dhe mundësinë e lidhjes së bizneseve vendase me investitorë privatë amerikanë, të interesuar për projekte të reja dhe me perspektivë rritjeje.

Këto çështje ishin pjesë e diskutimeve gjatë Javës Globale të Sipërmarrjes 2026, të zhvilluar në Tiranë nën moton “Ndërto nga Shqipëria”, me fokus nxitjen e sipërmarrjes, inovacionit dhe krijimin e urave të bashkëpunimit me tregjet ndërkombëtare. Nga sfidat e punësimit te mundësitë për investime dhe zgjerim jashtë vendit, zhvillimi i aftësive profesionale dhe rritja e konkurrueshmërisë mbeten faktorë kyç për të ardhmen e ekonomisë shqiptare.

/tvklan.al