Tre persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi dyshohen se hodhën lëndë eksplozive në një restorant në Kamëz, si pjesë e një gjobëvënieje prej 500 mijë euro ndaj pronarit të biznesit.
Personat e arrestuar janë: J. L., 31 vjeç, ish-oficer i forcave operacionale, F. D., 30 vjeç dhe F. M., 34 vjeç, të gjithë banues në Kamëz. Në kërkim është shpallur E. L., 31 vjeç, gjithashtu banues në të njëjtin qytet. Shkak për sulmin me eksploziv, sipas policisë, ishte refuzimi i pronarit të biznesit, S. S. për të paguar shumat e kërkuara si gjobë.
Grupi i gjobvënësve konflikte për lokalin, nuk donin t’ua linin kunetërve
Gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj ka zbuluar të tjera detaje mbi ngjarjen. Ai raporton se autorët e shpërthimit me tritol dhe dy kunetërit me inicialet K. M. dhe B. E., që kishin marrë lokalin me qira kanë qenë pjesë e të njëjtit grup gjobvënësish, por pas konflikteve janë ndarë.
Të njëjtat burime sqarojnë se tre të arrestuarit, mes të cilëve edhe ish-oficeri J. L., i kishin vendosur gjobën 500 mijë euro pronarit të lokalit, S. S., i cili jetonte në Itali.
Arsyeja ishte se autorët i kërkonin që lokalin të mos ua linte me qira dy kunetërve, K. M. dhe B. E., dhe e kishin paralajmëruar se nëse nuk largonte ata, do të duhej t’u paguante gjobën.
Çfarë thotë Policia?
“Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë hedhur lëndë eksplozive në fasadën e jashtme të biznesit, duke shkaktuar dëme materiale, për shkak të mosdhënies së një shume prej 500 000 euro, të kërkuar në formë gjobëvënieje ndaj pronarit të objektit, shtetasit S. S. Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.”, thuhet në njoftimin e uniformave blu. Fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale në fasadën e biznesit. Personi në kërkim me inicialet E.L, nuk është i panjohur për policinë, pasi ka qenë në kërkim lidhur me armën e krimit të përdorur në rastin e vrasjes së postierit në Kamëz, Lulëzim Visha.
/tvklan.al












Botërori 2026 