Greqia mund të ketë nevojë për një ristrukturim të mëtejshëm të borxhit, pasi faktet tregojnë se aktualisht vendi nuk është në gjendje të paguajë në kohë këstet e kredisë së marrë nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Deklarata u bë në kushte anonimiteti për Agjencinë e Lajmeve Reuters nga tre zyrtarë të Bashkimit Evropian. Sipas tyre, kostoja e një tjetër ristrukturimi të borxhit grek, me një vlerë prej 200 miliardë euro, do të bjerë mbi Bankën Qendrore Evropiane dhe qeveritë e vendeve anëtare të Eurozonës.

Por sipas agjencisë Reuters, mes tyre ka mungesë vullneti për ndërmarrjen e veprimeve të tilla në këtë fazë, ku ndodhet aktualisht Greqia, pasi, siç u shprehen zyrtarët e Bashkimit Evropian, në këtë moment vendi ndodhet krejtësisht jashtë piste.

Sipas kushteve të marrëveshjes për ristrukturimin e dytë të borxhit grek në muajin shkurt, Athina u angazhua për uljen e mëtejshme të shpenzimeve buxhetore dhe rritjen e taksave në këmbim të reduktimit të 100 miliardë eurove nga borxhet e saj. Qëllimi ishte ulja e borxhit nga 160% e Prodhimit të Brendshëm Bruto nën 120% deri në vitin 2020, nivel i konsideruar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si i qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Por përkundrazi, zyrtarët thonë se në tre katër muajt e fundit ky raport ka pësuar vetëm rritje. Aktualisht, përfaqësuesit e Trojkës ndodhen në Athinë për të vlerësuar ecurinë e reformave ekonomike, të cilat do të përmblidhen në një raport që do të publikohet muajin e ardhshëm.

Edhe për këtë, zyrtarët e Bashkimit Evropian shprehen se nuk do të ketë ndryshime nga ata të mëparshmit.

Lidhur me situatën e krijuar presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, viziton të enjten Athinën./tvklan.al