24 korrik 2026 – Një ngjarje tejet e rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje në fshatin Vidhisht të Roskovecit.
35-vjeçari Refit Buzi, i njohur edhe me emrin Nertil, ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin Kosta Plaka, ka plagosur ish-vjehrrën dhe më pas rrëmbeu ish të fejuarën e tij. Mirëpo, pas më shumë se 4 orësh ai e liroi të renë, teksa po negociohet edhe për dorëzimin e tij.
Ai dyshohet se është i armatosur, ndërsa në zonë ndodhen forca policore dhe ato RENEA.
“Rreth orës 06:00, në fshatin Vidhisht, Roskovec, dyshohet se shtetasi R. B., 35 vjeç, ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, shtetasin K. P., 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën e tij, shtetasen B. P., rreth 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-partneren e tij, shtetasen R. P., duke marrë me vete edhe armën e gjahut”, thuhet në njoftimin e bluve.
Vëllai i viktimës dha një prononcim për mediet, ku tregoi se si 35-vjeçari kërcënoi se do t’i vriste të gjithë dhe se ngjarja ishte e paralajmëruar, madje disa herë…
Vëllai i viktimës: Bërtisnin brenda, nuk shkuam të shikonim brenda se nuk kishim armë. Ai thoshte hajdeni se do t’ju vras të gjithëve! Merr policinë…Policia ka ardhur pas një ore! E ka marrë çuni, ta tregon ai.
–Pra ju e patë autorin, ju kërcënonte?
Vëllai i viktimës: E kishte lënë makinën nga pjesa mbrapa, e mori dhe çupën, iku!
–Vajza qëndronte këtu?
Vëllai i viktimës: Po, këtu qëndronte… Kishin probleme, tre herë është arrestuar e tre herë ka dalë (referuar autorit). Ai shkoi në Tiranë para disa muajsh me armë, e futën, pas një muaji e nxorrën prapë. Këtu ishte në arrest shtëpie se gjithmonë kërcënonte. I thoshte vajzës do vish këtu te unë, ti pa mua nuk bën…Do ju vras të gjithëve! Ka qenë e parashikuar kjo, shantazhi që ka bërë ai… Po bën kohë! Vajta brenda, vëllai shtrirë atje, kunata shtrirë…
Nipi i 58-vjeçarit të ndjerë rrëfeu momentet e frikës, duke thënë se u zgjua nga gjumi pas dy krismave.

“Ngjarja ishte paralajmëruar disa herë. Policia e arrestonte, por më pas prokuroria e lironte. Ja ku jemi sot… Nusja e xhaxhait ndodhet në spital dhe ende nuk e dimë gjendjen e saj. Ai ka marrë me vete edhe vajzën, e cila është vetëm 23 vjeçe. E ka kërcënuar edhe më parë, madje edhe në Tiranë, dhe ka përdorur armë ndaj saj”, tregoi ai.
Motivi?
Edhe gazetarja e Klan News, Anila Sefa, raporton se motiv ishte fakti se e reja refuzonte të rikthehej me autorin. Ish-çifti kishin jetuar sëbashku për një periudhë në kryeqytet, atje ku e reja studionte për infermieri.
Pas ndarjes, ai e kishte kërcënuar vazhdimisht vajzën, çka mendohet se e detyroi këtë të fundit të kthehej në fshatin e lindjes…*LEXO MË SHUMË
Pretendimet e familjes së Nertilit
Ndërkohë, prindërit e autorit 35-vjeçar kanë hedhur akuza ndaj familjes së ish-bashkëjetueses së tij, duke pretenduar se konflikti mes palëve nisi për shkak të një shume parash. Sipas tyre, 35-vjeçari kishte dërguar para nga Anglia gjatë kohës që ata jetonin bashkë dhe pas ndarjes kishte kërkuar kthimin e tyre, por kërkesa e tij nuk ishte pranuar.
Siç ata thonë, mosmarrëveshje financiare ka qenë në qendër të përplasjes mes dy familjeve. Megjithatë, kanë shprehur keqardhje për ngjarjen e rëndë dhe i kanë bërë thirrje djalit të tyre të dorëzohet në polici.
Në një prononcim për gazetaren e Klan News, Anila Sefa, babai i Nertilit shprehet se zënat mes djalit të tij dhe ish-partneres nisën për një shumë parash. Sipas tij Nertili i kishte dërguar para vajzës, por ai shprehet se nuk di asgjë më shumë, teksa shton se vajza shkonte shpesh i vizitonte, madje takonte edhe Nertilin fshehtas prindërve të saj
“I kam rënë në telefon mbi 20 herë edhe nuk më del. Del i mbyllur. Jam në merak për djalin. Nuk e di pse arriti deri këtu… kas pasur mendimet e tij, nuk na shprehej ne. Tani unë nuk di se çfarë të them. Të flas kot. Ka pasur konflikte me familjen e vajzës, por saktë nuk i dimë gjërat. Që kur ka ardhur, që u kthye sepse ishte jashtë, kishte dërguar disa lekë.
I kishte dërguar në emër të saj. Kur kthehet që andej i kërkon ato lekë, që atje u shkatërruan, por nuk i di muhabetet e sakta. Që ato ditë u prish muhabeti. Ajo sa herë që vinte këtu na thoshte që të mos u tregonim prindërve të saj. Vinte fshehtas. Vinte pa lejen e prindërve, takohej me Nertilin. Edhe para se të hapej ky muhabet”, shprehet ai.












Botërori 2026 
