Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbërriti në Ankara, ku u prit në aeroport nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, për të marrë pjesë në samitin e NATO-s, që po zhvillohet në kryeqytetin turk.
Dy liderët shkëmbyen biseda të shkurtra mes tyre, ndërsa konfirmuan miqësinë që ruajnë.
Në takimin dypalësh me presidentin Erdoğan, Donald Trump vlerësoi Turqinë, duke e cilësuar atë një aleate më besnike se shumë vende të tjera. Ai shtoi se nuk do të kishte marrë pjesë në samit, por nuk mund t’i refuzonte ftesën liderit turk.
“Isha shumë i zhgënjyer me NATO-n. Sinqerisht, nëse samiti nuk do të mbahej në Turqi, ku miku im është një lider shumë i fortë, është e mundur që të mos kisha ardhur. Ne kemi një marrëdhënie më të mirë me Turqinë dhe Turqia, në shumë mënyra, ka qenë shumë më besnike se vende të tjera për të cilat mendonim se do të ishin besnike.”
Trump theksoi se administrata amerikane po shqyrton mundësinë e shitjes së avionëve luftarakë F-35 Turqisë, pavarësisht ndalimit të miratuar nga Kongresi amerikan pas blerjes nga Ankaraja të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.
Ndër të tjera, shefi i Shtëpisë së Bardhë njoftoi se sanksionet amerikane ndaj Turqisë, të vendosura për shkak të blerjes së sistemit rus S-400, do të hiqen së shpejti.
Gjatë deklaratës për shtyp, Trump kritikoi sërish vendet evropiane se nuk kishin kontribuar mjaftueshëm në sigurinë kolektive, ndërsa SHBA ka shpenzuar triliona dollarë për mbrojtjen.
Në fund të takimit me presidentin Erdoğan, Trump komentoi edhe marrëdhëniet me kryeministren italiane Giorgia Meloni. Edhe pse ditët e fundit kishte shkëmbyer kritika ndaj saj, presidenti amerikan e cilësoi atë një person të mirë, duke pranuar se marrëdhëniet u tensionuan pasi Italia refuzoi të mbështeste operacionet amerikane kundër Iranit.
“Mendoj se ajo është një person i mirë, në fakt, kemi pasur një javë të mirë. Patëm një marrëdhënie të keqe. U përkeqësua pak sepse ajo refuzoi të na ndihmonte përsëri.”
Trump riktheu në vëmendje edhe çështjen e Groenlandës, për të cilën u shpreh se duhet të kontrollohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa theksoi se Danimarka nuk shpenzon mjaftueshëm për ishullin. Ai nënvizoi se territori është strategjikisht jetik për sigurinë amerikane.
“Grenlanda nuk e ndihmon Danimarkën. Danimarka nuk shpenzon para për ta ndihmuar vërtet Grenlandën. Por është një pjesë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Kjo duhet të kontrollohet nga Shtetet e Bashkuara, jo nga Danimarka. Dhe kur ata nuk do të pajtoheshin me këtë, dhe me të gjitha paratë që shpenzojmë për t’i ndihmuar ata me Rusinë, nuk kemi pse të shpenzojmë para. Mund t’i largojmë të gjithë ushtarët tanë nga Evropa.”
Samiti i NATO-s po zhvillohet në një moment kritik, mes kritikave të presidentit amerikan për mbrojtjen dhe kërcënimit se SHBA mund të largohet nga Aleanca.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 