Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli janë koordinuar së bashku në sulmet kundër Iranit. Lajmi u konfirmua përmes një video-mesazhi nga Presidenti Donald Trump, i cili njoftoi nisjen e operacionit “Ulerima e Luanit”.
Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, ky vendim vjen pas dështimit të diplomacisë dhe kërcënimit të vazhdueshëm bërthamor nga regjimi i Ajatollahëve.
“Pak kohë më parë, ushtria e Shteteve të Bashkuara nisi operacione luftarake në shkallë të gjerë në Iran. Objektivi ynë është të mbrojmë popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme nga regjimi iranian. Ne do të shkatërrojmë raketat e tyre dhe do të asgjësojmë flotën e tyre detare. Ky regjim duhet ta kuptojë se askush nuk mund të sfidojë fuqinë e Shteteve të Bashkuara”, tha Trump.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë, me tone të ashpra, shtoi se Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore dhe theksoi se operacioni do të vazhdojë deri sa të jetë e nevojshme.
“Ne do ta shkatërrojmë Marinën e tyre. Do të sigurohemi që përfaqësuesit terroristë të rajonit të mos destabilizojnë më rajonin dhe të mos përdorin më bombat e tyre të improvizuara për të plagosur dhe vrarë kaq rëndë mijëra njerëz, përfshirë shumë amerikanë. Ne do të sigurohemi që Irani të mos pajiset me armë bërthamore. Është një mesazh shumë i thjeshtë: Ata kurrë nuk do të kenë një armë bërthamore”, shtoi Trump.
Ndërkaq, Trump ka paralajmëruar qytetarët të qëndrojnë në shtëpi. Kryeministri Benjamin Netanyahu, në një tjetër deklaratë, e cilësoi këtë si një moment historik për lirinë e popullit iranian dhe sigurinë botërore.
“Ky është shansi juaj për të krijuar një Iran të ri dhe të lirë. Merrni fatin tuaj në duart tuaja. Ngrini kokën, ngrini sytë drejt qiellit: Forcat tona janë atje, pilotë të botës së lirë. Të gjithë po vijnë në ndihmë tuaj. Ndihma ka mbërritur”, tha Netanyahu.
Këto sulme vijnë pas një sërë paralajmërimesh nga Uashingtoni për të arritur një marrëveshje me Iranin.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 