Donald Trump ka pasur gjithmonë një pasion të veçantë për avionët. Jo vetëm si mjete pushteti dhe përfaqësimi, por edhe si objekte për t’u admiruar, koleksionuar dhe ekspozuar. Një pasion që ngjan shumë me atë të një fëmije për lodrat e tij.

Kur në maj të vitit 2025 Katari bëri të ditur se kishte ndërmend t’u dhuronte Shteteve të Bashkuara një Boeing 747, i cili do të shërbente përkohësisht si Air Force One i ri, presidenti amerikan e mirëpriti me entuziazëm këtë lajm. Avioni gjigant, me një vlerë prej rreth 400 milionë dollarësh, ishte menduar të zëvendësonte përkohësisht pritjen për avionët e rinj presidencialë të prodhuar nga Boeing. Trump u ngjit për herë të parë në të, më 1 korrik të vitit të kaluar.

Avioni, me hapësirat e tij të mëdha dhe imazhin e prestigjit që mbart, dukej se përputhej plotësisht me shijen e Trump-it, një kombinim mes teknologjisë, madhështisë dhe dukshmërisë publike. Por pikërisht zgjedhja për të përdorur një avion të ofruar nga një shtet i huaj ka hapur një përplasje politike në Uashington, me demokratët që kanë ngritur pikëpyetje për sigurinë dhe përshtatshmërinë e këtij vendimi.

Debati për Air Force One-in e ri nuk u ndal vetëm te çështja e pranimit të një avioni të ofruar nga Katari. Së fundmi, republikanët bllokuan një propozim ligjor të demokratëve që do t’i ndalonte Departamentit të Mbrojtjes përdorimin e fondeve shtesë për punimet e rikonstruksionit të Boeing-ut të marrë nga Doha. Ky qëndrim përputhet me vendimin e administratës Trump për ta kthyer avionin luksoz në një Air Force One funksional.

Megjithatë, pas kësaj beteje politike qëndron edhe një element më personal, marrëdhënia e Trump-it me botën e aviacionit. Një interes që ndër vite është bërë pjesë e imazhit të tij publik, nga pasioni për Boeing 757 privat të tij, i njohur si “Trump Force One”, te vëmendja ndaj detajeve të avionit të ri presidencial, deri te ndërtimi i një heliporti prej guri për uljet e Marine One.

Këtë anë të presidentit e kanë konfirmuar edhe pamjet e publikuara në Instagram nga Dan Scavino, zëvendësshefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, ku shfaqen disa modele avionësh të vendosura në mënyrë dekorative në rafte të ndryshme të Zyrës Ovale. Një flotë e vogël avionësh në miniaturë, për të cilën presidenti duket se është veçanërisht krenar.

Megjithatë, jo të gjithë e vlerësojnë këtë zgjedhje estetike të Trumpit. Ashtu siç ndodhi edhe me ndryshimet në dekorin e zyrës pas nisjes së mandatit të tij të dytë, ku dominonin elementët e artë, edhe këtë herë presidenti amerikan është kritikuar për ekzagjerim.

Daily Beast e ka përshkruar ambientin si një lloj “muze modelesh avionësh me shije të rëndomtë”, duke e akuzuar Trump-in se ka kthyer një nga hapësirat më solemne të politikës amerikane në një vitrinë të pasioneve të tij personale.

Sipas medias amerikane, këto modele avionësh janë një tjetër shembull i stilit të Trumpit: një përzierje mes luksit të ekspozuar, simboleve të pushtetit dhe vëmendjes së madhe ndaj imazhit personal. Të gjitha të shoqëruara, sipas kritikëve të tij, me një dozë të fortë egocentrizmi.

Artikull i përshtatur nga Corriere della Sera