Presidenti amerikan Donald Trump është takuar me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky në Davos këtë të enjte, fill pas nënshkrimit të Bordit të Paqes për Gazën.

“Ka qenë një takim i mirë me presidentin Zelensky, duhet të shohim çfarë ndodh në Rusi. Lufta duhet të përfundojë.”, kështu tha presidenti Trump në përfundim të takimit.

“Nuk kemi folur për Bordin e Paqes,” shtoi Trump, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve.

Pas prononcimit për mediat, Trump u nis drejt Zyrihut me makinë (dhe jo me helikopter) për shkak të motit të keq.

Kështu pritet të rrugëtimi i tij nga Davosi drejt Zyrihut të zgjasë rreth 2 orë. Në Zyrih do ta presë Air Force One.

Ndërkohë, këshilltari për komunikimin i Presidentit Zelensky tha se ai pati një “takim të mirë” me homologun e tij, sipas CNN.

Zelensky pas takimit në Davos: Vëmendjen e mori Groenlanda!

Por kur foli në një prononcim për mediat, Zelensky u shpreh: “Vetëm vitin e kaluar, këtu në Davos, e përfundova fjalimin tim me fjalët: ‘Evropa duhet të dijë si të mbrojë veten.’ Ka kaluar një vit, dhe asgjë nuk ka ndryshuar.“

Presidenti ukrainas pati një ankesë lidhur me Forumin ekonomik të zhvilluar në Davos, ku u nënshkrua dhe themelimi i Bordit të Paqes. Kjo sepse iu kushtua shumë vëmendje Groenlandës.

“Të gjithë i kushtuan vëmendje Groenlandës, dhe është e qartë se shumica e liderëve nuk janë të sigurt se çfarë duhet të bëjnë për këtë çështje. Duket sikur të gjithë thjesht po presin që Amerika të qetësohet mbi këtë temë, duke shpresuar se do të kalojë. Por po sikur të mos kalojë, atëherë çfarë ndodh?”, tha Zelensky.

Sjellim ndërmend se i dërguari i Trump, Steve Witkoff shprehu optimizëm për finalizimin e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Mendoj se e kemi reduktuar në një çështje dhe kemi diskutuar variante të asaj çështjeje, që do të thotë se është e zgjidhshme,” tha Witkoff para udhëtimit të tij në Moskë për bisedime me Vladimir Putinin, citon BBC.

Witkoff nuk e specifikoi çështjen e vetme, por bisedimet e fundit janë përqendruar në statusin e ardhshëm të zemrës industriale të Ukrainës në Donbas, me një propozim për një zonë të çmilitarizuar dhe të lirë ekonomike në këmbim të garancive të sigurisë për Kievin.

“Nëse të dyja palët duan ta zgjidhin, do ta zgjidhim,” tha Witkoff.

Para vizitës së Witkoff në Moskë me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner, presidenti amerikan tha: “Mendoj se po afrohen, shumë njerëz po vriten, duhet ta përfundojmë.”

Javën e kaluar, Trump tha se mendonte që Putini ishte “gati të bënte një marrëveshje” por se Zelensky ishte “më pak i gatshëm.”

Presidenti ukrainas udhëtoi gjithë natën për të mbërritur në Davos të enjten. Ai fillimisht e kishte anuluar udhëtimin për t’u marrë me pasojat e sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Kievit, të cilat kanë lënë zona të mëdha të kryeqytetit pa ngrohje, ujë dhe energji elektrike gjatë dimrit më të ashpër në pothuajse katër vite të luftës së plotë të Rusisë. Mijëra pallate mbeten pa ngrohje.

Ka pasur shqetësime në Kiev se përplasja e Trumpit me aleatët e tij evropianë në NATO mbi të ardhmen e Groenlandës e ka shpërqendruar nga lufta në Ukrainë.

Zelensky tha pas bisedimeve me Trump në Miami në fund të muajit të kaluar se një plan amerikan me 20 pika për t’i dhënë fund luftës ishte 90% gati dhe se pozicioni i Ukrainës për Donbasin, në lindje të Ukrainës, ishte i ndryshëm nga ai i Rusisë.

Në mënyrë specifike, Zelensky ka ofruar të tërheqë trupat nga 25% e rajonit të Donetskut që Ukraina ende kontrollon deri në 40 km (25 milje), për të krijuar një zonë ekonomike, nëse Rusia bën të njëjtën gjë. Forcat ruse kanë avancuar ngadalë në lindje gjatë vitit të kaluar dhe dihet se Putini synon kontrollin e të gjithë rajonit.

Pika tjetër e madhe e mosmarrëveshjes që Zelensky theksoi muajin e kaluar ishte kontrolli i ardhshëm i centralit bërthamor gjigant të Zaporizhias, i pushtuar nga Rusia në mars 2022.

/tvklan.al