Donald Trump dhe Gianni Infantino u pritën me fishkëllima nga një pjesë e tifozëve gjatë ceremonisë së trofeut të Kupës së Botës.

Trump mbërriti në stadium me helikopterin presidencial dhe e ndoqi finalen nga një tribunë VIP e krijuar enkas për këtë event, në krah të Infantinos dhe liderëve të tjerë botërorë.

Në përfundim të ndeshjes, Presidenti amerikan zbriti edhe në fushë, ku u shoqërua sërish nga fishkëllimat.

Sipas Zyrës së Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, niveli i zhurmës në stadium në këtë moment u rrit nga afërsisht 78 në 84 decibel.

Por kjo nuk e pengoi atë të bëhej pjesë e ceremonisë së dhënies së medaljeve dhe Kupës së Botës.

Madje, edhe pas dorëzimit të trofeut te kapiteni i spanjollëve, Rodri, Trump tentoi të qëndronte pranë lojtarëve gjatë festimeve të tyre. Megjithatë, Gianni Infantino ndërhyri dhe e largoi në mënyrë diplomatike, duke i lejuar futbollistët të vazhdonin festën vetëm.

Nuk ishte hera e parë që ai bëhej pjesë e një situate të tillë, pasi edhe në finalen e Botërorit për Klube vitin e kaluar u përfshi në festimet e Chelseat.

Pas rizgjedhjes së tij si President i SHBA-ve, Trump ka marrë pjesë shpesh në ngjarje të mëdha sportive. Finalja e Kupës së Botës ishte paraqitja e parë për Donald Trump në një ndeshje të këtij turneu, i cili u organizua nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika.

Tv Klan

/tvklan.al