Dy muaj nga nisja e luftës amerikano-izraelite kundër Iranit dhe në horizont nuk duket se ka ndonjë zgjidhje. Një zyrtar i lartë amerikan ka thënë për Reuters se presidentit Donald Trump nuk i ka pëlqyer propozimi i fundit i Teheranit, duke zbehur shpresat për ndonjë marrëveshje të afërt mes palëve.

Propozimi i fundit, i dërguar Uashingtonit një ditë më parë nga Pakistani, ofronte zgjidhje mbi transportin detar në ngushticën kritike të Hormuzit, por linte mënjanë programin bërthamor, një nga pikat kyçe që i mban palët larg njëra-tjetrës.

SHBA-të kanë këmbëngulur se çështjet bërthamore duhet të jenë ndër të parat për t’u trajtuar në bisedime. Një marrëveshje e mëparshme e vitit 2015 midis Iranit dhe shumë vendeve të tjera, përfshirë SHBA-të, kufizoi ndjeshëm programin bërthamor të Iranit, por ajo marrëveshje u prish kur Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme gjatë mandatit të tij të parë.

Ndërkohë, një deklaratë e pazakontë ka ardhur nga Berlini. Kancelari Merz tha se negociatorët iranianë po poshtërojnë Shtetet e Bashkuara.

“Iranianët janë padyshim shumë të aftë në negociata, ose më saktë, shumë të aftë në mosnegociimin, duke i bërë amerikanët të shkojnë në Islamabad dhe të largohen përsëri pa asnjë rezultat. Një komb i tërë po poshtërohet nga udhëheqja iraniane, veçanërisht nga të ashtuquajturat Garda Revolucionare. Kjo duhet të marrë fund”.

Teksa palët në konflikt mbeten larg njëra-tjetrës, çmimet e naftës kanë rinisur marshimin e tyre në rritje. Tabela e çmimit të naftës së papërpunuar Brent po luhatet rreth 110 dollarëve për fuçi këtë fillim jave.

Tv Klan

/tvklan.al