“Merrni mbrapsht terroristët, ndryshe i lirojmë”

Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi se do të lirojë xhihadistët europianë të ISIS të kapur në Irak dhe Siri, nëse vendet e Europës nuk pranojnë t’i riatdhesojnë.

“Kemi 2500 luftëtarë të ISIS që ne duam Europa t’i marrë sepse ata po ktheheshin në Europë, në Francë, Gjermani dhe vende të ndryshme. Të shohim nëse do i marrin. Nëse ata nuk i marrin, ne me gjasë do t’i lirojmë në Europë.”

Shefi i Shtëpisë së Bardhë u ka bërë thirrje disa herë homologëve të tij europianë të marrin mbrapsht bashkombasit e tyre të kapur në zonat e luftës, por deri tani kjo kërkesë është refuzuar nga frika e rritjes së frymës terroriste në kontinent.

Xhihadistët e cituar nga presidenti Trump po mbahen në Siri nga Aleanca Kurde Demokratike, e mbështetur nga Uashingtoni. Zyrtarisht rezultojnë rreth 800 shtetas nga vendet e Bashkimit Europian, të arrestuar si terroristë në Siri. Ndërsa qindra të tjerë janë me origjinë europiane, por vijnë nga vende jashtë bllokut, mes tyre edhe Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut.

Tv Klan