Washington, 6 janar – Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, dhe ekipi i tij po shqyrtojnë opsione për të blerë Groenlandën. Përdorimi i ushtrisë amerikane është “gjithmonë një opsion”, ka konfirmuar Shtëpia e Bardhë këtë të martë, shkruajnë mediat e huaja.

“Presidenti dhe ekipi i tij po diskutojnë një gamë opsionesh për të ndjekur këtë qëllim të rëndësishëm të politikës së jashtme, dhe natyrisht, përdorimi i ushtrisë amerikane është gjithmonë një opsion që ka në dispozicion komandanti i përgjithshëm, thuhet në deklaratën zyrtare nga Shtëpia e Bardhë.

Ambicia e Trump për ta bërë Groenlandën një qendër strategjike amerikane në Arktik, ku Rusia dhe Kina kanë interes në rritje, është rikthyer së fundmi pas arrestimit Nicolas Maduro nga SHBA-të.

Një zyrtar i lartë amerikan ka deklaruar se diskutimet për Groenlandën janë aktive në Zyrën Ovale, dhe këshilltarët po shqyrtojnë opsione të ndryshme. Pavarësisht deklaratave të forta të NATO-s, Trump nuk është tërhequr.

Opsionet përfshijnë blerjen e plotë të Groenland nga SHBA-të ose krijimin e një Marrëveshjeje të Asociimit të Lirë (Compact of Free Association) me territorin. Një marrëveshje COFA do të ishte një formë bashkëpunimi, por nuk do të përmbushte plotësisht ambicien e Trump për ta bërë ishullin me 57 mijë banorë pjesë të SHBA-ve.

Çmimi i mundshëm i blerjes nuk është bërë i ditur.

Zyrtarët e administratës thonë se ishulli është jetik për SHBA-të për shkak të depozitave të mineraleve me përdorime të rëndësishme teknologjike dhe ushtarake, të cilat ende nuk janë shfrytëzuar për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, infrastrukturës së kufizuar dhe sfidave të tjera.

Në të njëjtën kohë, liderët e fuqive kryesore europiane dhe Kanadaja e mbështetën Groenlandën, duke thënë se ishulli i Arktikut i takon popullit të tij.

/tvklan.al