Donald Trump, tha të mërkurën se negociatat me Iranin ishin në fazat përfundimtare, ndërsa paralajmëroi për sulme të mëtejshme nëse Irani nuk pranon një marrëveshje.

“Jemi në fazat e fundit me Iranit. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Ose do të arrijmë një marrëveshje ose do të bëjmë disa gjëra paksa të pakëndshme, por shpresojmë se kjo nuk do të ndodhë. Nuk kam asnjë nxitim”, tha presidenti Trump.

Teherani, nga ana e tij, akuzoi Trumpin për komplot për të rinisur luftën dhe kërcënoi të hakmerrej për çdo sulm me sulme përtej Lindjes së Mesme.

Ndërsa ryetari i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, negociatori kryesor i Iranit në bisedimet e paqes, tha në një mesazh audio të publikuar në mediat sociale se lëvizjet e dukshme dhe të fshehura nga armiku treguan se amerikanët po përgatitnin sulme të reja.

“Ata ende shpresojnë që Irani do të dorëzohet dhe mendojnë se mund ta bëjnë këtë, nëpërmjet një bllokade, presionit ekonomik, rritjes së tensionit në fushën e luftës, dhe duke filluar një fazë të re lufte. Ata mendojnë se mund ta detyrojnë Iranin të dorëzohet ndaj kërkesave të tyre të tepërta në tryezën diplomatike”, tha Baqer Qalibaf.

Irani i paraqiti një ofertë të re Shteteve të Bashkuara këtë javë. Përshkrimet e propozimit nga Teherani sugjerojnë se ai përsërit kryesisht kushtet e refuzuara më parë nga Trump, duke përfshirë kërkesat për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, kompensimin për dëmet e luftës, heqjen e sanksioneve, lirimin e aseteve të ngrira dhe tërheqjen e trupave amerikane nga zona.

Ka pak gjasa që këto kërkesa të pranohen nga Uashingtoni, ndërsa Trump tha se kishte planifikuar sulme të reja të martën, por i pezulloi ato në moment të fundit me kërkesë të vendeve të Gjirit.

Tv Klan

/tvklan.al