Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar se për vendet që përkrahin politikat e aleancës BRICS që shkojnë kundër interesave të shtetit të tij, do të aplikohet një tarifë shtesë prej 10%.

Trump është një nga kritikët e BRICS, aleancës së krijuar për të rritur praninë e kombeve në arenën ndërkombëtare për të sfiduar SHBA-në dhe Europën Perëndimore.

“Çdo vend që pozicionohet me politikat anti-amerikane të BRICS, do të kenë një tarifë shtesë prej 10%.  Nuk do të ketë përjashtime nga kjo politikë”, tha Trump në një postim në Truth Social të dielën.

Komentet e tij pasojnë kritikat e anëtarëve të BRICS për tarifat e SHBA-ve si dhe propozimin e  reformave në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe vlerësimin e monedhave kryesore.

Vitin e shkuar, lista e anëtarëve të BRICS, veç Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut u zgjerua duke përfshirë Egjiptin, Etiopinë, Indonezinë, Iranin,Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Vendet e këtij blloku përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë së botës.

Udhëheqësit e aleancës, të cilët organizuan një takim në Rio de Zhaneiro në Brazil gjatë kësaj fundjave, kanë kërkuar reforma në institucionet botërore dhe e kanë pozicionuar BRICS si një platformë për diplomaci në një situatë konfliktesh të përshkallëzuara tregtare dhe tensionesh gjeopolitike.

Në një deklaratë të përbashkët nga ministrat e financave të kombeve të BRICS, tarifat u kritikuan si kërcënim për ekonominë globale duke shkaktuar “pasiguri në veprimtaritë ndërkombëtare ekonomike dhe tregtare.”

Udhëheqësit dënuan edhe sulmet ndaj Iranit, duke i cilësuar si shkelje të ligjeve ndërkombëtare.

Në samit morën pjesë kryeministri indian Narendra Modi dhe presidenti afrikano-jugor Cyril Ramaphosa. Presidenti i Kinës, Xi Jinping mungoi për herë të parë dhe në vend të tij u dërgua Premier Li Qiang.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ndaj të cilit është lëshuar një mandat arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krimet e luftës në Ukrainë, e ndoqi online.

Në vitin 2024, Trump kërcënoi vendet e BRICS me tarifa 100% nëse do të vijonin me monedhën e tyre  për të kundërshtuar dollarin amerikan./tvklan.al

/tvklan.al