Përfaqësuesit ligjorë të Donald Trump kërkojnë 20 milionë dollarë dëmshpërblim nga Stephanie Clifford, aktorja e filmave për të rritur e cila pretendon se ka pasur një histori seksuale me Trump.

Avokatët e presidentit amerikan akuzojnë Cliffordin se ka thyer të paktën 20 herë marrëveshjen e heshtjes, e firmosur përpara zgjedhjeve të vitit 2016.

Por aktorja e filmave për të rritur nuk e cilëson të vlefshme atë marrëveshje, pasi ajo nuk është firmosur nga vetë Trump. Gjatë një interviste në vitin 2011, Stephanie Clifford ka thënë se ka pasur një histori seksuale me Donald Trump gjatë vitit 2006. Në muajin janar kjo intervistë u risoll në mediat amerikane, duke krijuar mjaft reagime.

Një prej avokatëve të Trump, Michael Cohen, pranoi se ka paguar në tetor të 2016-ës 130 mijë dollarë, në llogarinë e Clifford, por tha se këtë e ka bërë pa dijeninë e Trump.

Vetë presidenti amerikan e ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në një histori pasioni me aktoren e filmave për të rritur.

Tv Klan