Donald Trump nuk kërkon më negociata me Iranin, por pas 7 ditësh sulme të ashpra së bashku me Izraelin kërkon dorëzim pa kushte të Republikës Islamike, siç shkroi në një postim në rrjetin privat social Truth.
“Nuk do të ketë marrëveshje me Iranin, veçse dorëzim pa kushte”.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë shprehet se pas dorëzimit, në krye të Iranit duhet të jetë një lider i pranueshëm, ndërsa për ringritjen e vendit do të punojnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët. Megjithatë, Trump la të kuptohet në një intervistë për CNN se për të ka pak rëndësi nëse qeverisja e re e Iranit do të jetë apo jo demokratike, apo nëse udhëheqësi i ri do të jetë sërish fetar.
“Po them që duhet një lider i ndershëm dhe i drejtë. Të bëjë punë madhështore, të trajtojë mirë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin e vendet e tjera të Lindjes së Mesme, që janë të gjithë partnerët tanë”.
Si model për liderin e ardhshëm të Iranit, ai përmend Delsi Rodrigezin, drejtuesen e përkohshme të Venezuelës, e cila mori drejtimin e vendit pas operacionit amerikan për kapjen e Nikolas Maduros, me pëlqimin e Donald Trumpit, për të cilën thotë se ka bërë një punë të shkëlqyer. Në intervistën për CNN, paralajmëroi se pas Venezuelës dhe Iranit, radha është e Kubës.
Këshilli iranian prej tre anëtarësh, presidenti, kreu i gjykatës kushtetuese dhe përfaqësuesi i Gardës Revolucionare, po vijon përpjekjet për zgjedhjen e liderit të ri suprem. Sulmet amerikano-izraelite këtë të premte goditën bazat e raketave në Teheran e Kermanshah. Ndërsa Garda Revolucionare Iraniane u kundërpërgjigj me raketa dhe dronë duke sulmuar Tel Avivin.
Gjatë inspektimit të dëmeve, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu garantoi se të gjitha objektivat e fushatës ushtarake kundër Iranit do të realizohen.
Ushtria izraelite po zgjeron sulmet edhe kundër Hezbollahut, aleat i Iranit në Liban, ku numri i të vdekurve ka arritur në 217 dhe mbi 300 mijë ai i të shpërngulurve. Këto pamje tregojnë se Izraeli po dërgon të tjera tanke në kufirin verior.
Edhe Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari njoftuan për sulme të reja në territoret e tyre, por pa viktima apo persona të lënduar.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 