Donald Trump përmbylli vizitën 2-ditore në Pekin, me një bilanc “fantastik” veçanërisht për tregtinë, siç e tha vetë gjatë takimit me presidentin e Kinës, Xi Jinping. Disa detaje i dha në një intervistë për Fox News pak orë para ikjes.

“Një nga gjërat për të cilat ramë dakord është që Kina do të porosisë 200 avionë. Është gjë e madhe. Boing. Vetë kompania synonte t’i shiste Kinës 150. Do të shesë 200”, tha presidenti i SHBA, Donald Trump.

Sipas Uashingtonit, Kina u angazhua të blejë të paktën 10 miliardë dollarë produkte bujqësore, për tre vitet e ardhshme, veç angazhimeve për sojën.

E teksa për rregullimin e bilanceve tregtare u duk i kënaqur, shefi i Shtëpisë së Bardhë tregoi se me Xi Jinping kishin gjetur gjuhën e përbashkët edhe për Iranin, jo vetëm për faktin që të dy ishin kundër që Teherani të ketë armë bërthamore.

“Ai tha se nuk do u japë armë. Ky është një hap i madh. Është deklaratë e fortë dhe e theksoi, por në të njejtën kohë ata blejnë shumë naftë atje dhe duan të vazhdojnë ta bëjnë. Ai do të donte ta shihte të hapur Hormuzin. I thashë, nuk e kemi mbyllur ne, e bënë ata dhe ne i penguam”, shtoi Trump.

Si shenjë e një partneriteti të ri dhe të veçantë të lindur mes dy vendeve, gjatë kësaj vizite, Xi Jinping e shoqëroi Donald Trumpin në kopshtin e konsideruar si sekret, të kompleksit historik “Xhonanhai” ku ndodhen selia dhe rezidencat e krerëve komunistë kinezë, e ku shumë rrallë hyjnë liderë të huaj.

Xi Jinping i tha Donald Trumpit se ndër këta të rrallë ishte edhe Vladimir Putin.

Sipas portalit prestigjoz “Axios”, ky afrim është ajo që duket, pasi marrëdhëniet mbeten të komplikuara.

Në ditët para samitit, zyrtarë të administratës Trump ndërmorën një sërë sanksionesh dhe akuzash të ashpra për spiunazh kibernetik e bashkëpunim me Iranin, me qëllim minimin e çdo mundësie për afrim me Pekinin.

TV Klan

/tvklan.al