Donald Trump përmbylli vizitën 2-ditore në Pekin, me një bilanc “fantastik” veçanërisht për tregtinë, siç e tha vetë gjatë takimit me presidentin e Kinës, Xi Jinping. Disa detaje i dha në një intervistë për Fox pak orë para ikjes.

“Një nga gjërat për të cilat ramë dakord është që Kina do të porosisë 200 avionë. Është gjë e madhe. Boing. Vetë kompania synonte t’i shiste Kinës 150. Do të shesë 200”, tha Trump.

Sipas Uashingtonit, Kina u angazhua të blejë të paktën 10 miliardë dollarë produkte bujqësore, për tre vitet e ardhshme, veç angazhimeve për sojën.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë tregoi se me Xi Jinpingun kishin gjetur gjuhën e përbashkët edhe për Iranin, jo vetëm për faktin që të dy ishin kundër që Teherani të ketë armë bërthamore.

“Ai tha se nuk do u japë armë. Ky është një hap i madh. Është deklaratë e fortë dhe e theksoi, por në të njejtën kohë ata blenë shumë naftë atje dhe duan të vazhdojnë ta bëjnë. Ai do të donte ta shihte të hapur Hormuzin. I thashë, nuk e kemi mbyllur ne, e bënë ata dhe ne i penguam”, u shpreh Trump.

Si shenjë e një partneriteti të ri dhe të veçantë të lindur mes dy vendeve, gjatë kësaj vizite, Xi Jinping e shoqëroi Donald Trumpin në kopshtin e konsideruar si sekret, të kompleksit historik “Xhonanhai” ku ndodhen selia dhe rezidencat e krerëve komunistë kinezë, e ku shumë rrallë hyjnë liderë të huaj. Xi Jinping i tha Donald Trumpit se ndër këta të rrallë ishte edhe Vladimir Putin.

Pesë ditë larg vizitës së Trump, kreu i Kremlinit Vladimir Putin do të shkojë në Pekin për takim me homologun kinez. Uashington Post raportoi se vizita njëditore do të zhvillohet më 20 maj.

Tv Klan

/tvklan.al