13 shtator 2026- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka kërkuar presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që të ndalojë sulmet ushtarake ndaj rafinerive ruse të naftës, duke argumentuar se këto goditje po ndikojnë në furnizimin global me karburant.

“Zoti Zelenskyy duhet të bëjë një gjë. Duhet të ndalojë së godituri naftën në Rusi. Le të godasë objektiva, por jo naftën, sepse po shkakton mungesë të saj”, deklaroi Trump para gazetarëve.

Sipas presidentit amerikan, vështirësitë e krijuara aktualisht në tregun e naftës nuk lidhen me tensionet në Lindjen e Mesme, por me luftën që po zhvillohet mes Rusisë dhe Ukrainës.

Trump bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara e kanë diskutuar drejtpërdrejt këtë çështje me presidentin ukrainas, duke nënvizuar se Washingtoni nuk dëshiron që Kievi të vazhdojë sulmet ndaj rafinerive ruse.

Ai tha se Ukraina ka “shumë objektiva të tjera” që mund të godasë, duke shprehur shqetësimin se dëmtimi i kapaciteteve ruse të prodhimit të naftës po krijon pasoja për tregjet globale.

Deri tani, zyrtarët ukrainas nuk kanë bërë ndonjë koment lidhur me deklaratat e presidentit amerikan.

/tvklan.al