Donald Trump le të hapur mundësinë e rinisjes së luftës me Iranin.
Gjatë një takimi me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti amerikan u shpreh i paqartë për fatin e negociatave, por mjaft i prerë kur erdhi puna te opsioni ushtarak.
“Nuk e di nëse na nevojitet rinisja e luftës… por mund të na nevojitet. Ata iranianët duan marrëveshje dëshpërimisht, por ne kemi një problem sepse nuk e dimë me siguri se kush janë udhëheqësit e tyre aktualisht”, tha Trump.
Ndërsa administrata zyrtarisht deklaron se po pret propozimet për paqe nga Teherani, në prapaskenë po përgatitet ajo që Trump e quan “stuhia e pashmangshme”. Krerët e Pentagonit dhe komandanti i Komandës Qendrore, Admirali Brad Cooper, i kanë dorëzuar presidentit planet për atë që cilësohet si një ofensivë “e shkurtër, por e fuqishme”.
Ky plan strategjik përfshin tre objektiva emergjentë: goditje ajrore kirurgjikale për të thyer rezistencën iraniane, përdorimin e forcave tokësore për të marrë nën kontroll Ngushticën e Hormuzit dhe një operacion të forcave speciale për të sekuestruar të gjithë rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit, përpara se ato të shndërrohen në armë.
Përgjigjja e Teheranit ka qenë e menjëhershme dhe sfiduese. Lideri Suprem, Mojtaba Khamenei, përmes një deklarate të ashpër, bëri të qartë se Irani nuk do të tërhiqet nga ajo që ai e quan “trashëgimi kombëtare bërthamore”.
“Të huajt që vijnë nga mijëra kilometra larg për të vepruar me lakmi dhe keqdashje nuk kanë vend këtu. I vetmi vend për amerikanët në Gjirin Persik është në fund të ujërave të tij”, u shpreh Mojtaba Khamenei.
Kjo retorikë e ashpër lufte ka shkaktuar panik të vërtetë në tregjet e energjisë. Pasiguria për furnizimin global e ka çuar çmimin e naftës Brent në Londër në nivele të paimagjinueshme më parë, duke u shitur me 126 dollarë për fuçi gjatë 24 orëve të fundit.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 