Mes ultimatumit dyditor të vendosur të dielën ndaj Teheranit për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, për të shmangur një valë të re sulmesh të ashpra ndaj centraleve të energjisë elektrike, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi në rrjetin social Truth ndalimin për 5 ditë të sulmeve ndaj Iranit.
“SHBA dhe shteti i Iranit kanë pasur gjatë dy ditëve të fundit bisedime shumë të mira dhe produktive për fundin e plotë të armiqësive tona në Lindjen e Mesme. Bazuar në këto bisedime të thelluara, të detajuara dhe konstruktive, të cilat do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, kam udhëzuar Departamentin e Luftës të shtyjë çdo sulm ushtarak kundër centraleve elektrike dhe infrastrukturës energjetike iraniane për një periudhë pesëditore”, shprehet Trump.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk sqaroi se për çfarë bisedimesh bëhet fjalë. Agjencia e lajmeve Mehr, e sponsorizuar nga Republika Islamike, publikoi një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Iranit, ku mohohet përfshirja në çfarëdolloj bisedimesh me Uashingtonin, por thuhet se ka pasur nisma rajonale për uljen e tensioneve.
Sipas Teheranit zyrtar, vendimi i Trump synon vetëm të ndikojë në uljen e çmimit të naftës. Agjencia tjetër e lajmeve Tasnim, që citon zyrtarë iranianë, shkruan se Teherani ka mohuar çdo negociatë me Uashingtonin, ndërsa thekson se Trump ka bërë një hap pas.
Më herët, Irani refuzoi ultimatumin dyditor të presidentit amerikan dhe kërcënoi se, nëse SHBA bombardon centralet iraniane të energjisë elektrike me pasoja për civilët, do të minojë të gjithë ujërat e Gjirit Persik dhe do të godasë për hakmarrje centralet energjetike në gjithë rajonin.
Të dielën, në media qarkulluan kushtet e palëve për fundin e luftës. Irani kërkon pagesën e dëmeve, një regjim të ri për Ngushticën e Hormuzit dhe garanci për aleatët e tij në rajon. Ndërsa amerikanët kërkojnë fundin e programit bërthamor, raketor dhe të dronëve, si dhe ndërprerjen e financimit për grupet militante në Lindjen e Mesme.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, foli më herët në një intervistë për median amerikane Fox për një koalicion për hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe lejimin e lëvizjes së anijeve të naftës, por pa dhënë detaje.
“Një grup prej 22 vendesh, shumica të NATO-s, por edhe Japonia, Koreja, Australia, Zelanda e Re, Emiratet dhe Bahreini janë bashkuar që Ngushtica e Hormuzit të jetë e lirë”, shprehet Mark Rutte, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.
Aleati i SHBA-së në konflikt, Izraeli, nuk duket se po ecën në të njëjtin drejtim. Tel Avivi njoftoi se këtë të hënë po kryen një valë të ashpër sulmesh ndaj infrastrukturës iraniane, duke goditur objektiva në Teheran dhe qytete të tjera.
Kjo konsiderohet si vala më e rëndë e sulmeve izraelite që nga fillimi i konfliktit, i cili tashmë ka hyrë në javën e tij të katërt dhe që Izraeli beson se mund të zgjasë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 