Administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se Universiteti i Harvardit nuk do të marrë më fonde publike për kërkime, në një përshkallëzim të mëtejshëm të mosmarrëveshjes me institucionin elitar.

Në një letër drejtuar Harvardit, Sekretarja e Departamentit të Arsimit të SHBA-së, Linda McMahon, tha se universiteti elitar nuk duhet të kërkojë më grante federale. Harvard tha se letra e McMahon dyfishon kërkesat që do të impononin “kontroll të papërshtatshëm” mbi universitetin dhe po shkakton kërcënime të reja për të ndaluar “në mënyrë të paligjshme” fondet për kërkime për të shpëtuar jetë njerëzish në mbarë botën.

“Harvardi do të vazhdojë gjithashtu të mbrohet nga vendimet e paligjshme të qeverisë që synojnë të pengojnë kërkimin dhe inovacionin që i bëjnë amerikanët më të sigurt”, tha një zëdhënës i universitetit.

Ky veprim përfaqëson sulmin më të fundit nga administrata Trump, e cila është e gatshme të përdorë pushtetin për të detyruar institucionet, nga firmat ligjore te universitetet, të bëjnë ndryshime rrënjësore në politika, përndryshe do të humbasin miliarda dollarë në grante. Trump e ka vënë në shënjestër Harvardin për akuzat për antisemitizëm në kampus gjatë protestave pro-palestineze.

Protestat u nxitën nga sulmi ushtarak i aleatit të SHBA-së, Izraelit, në Gaza, pas sulmit të tetorit 2023 ndaj Izraelit nga militantët palestinezë të Hamasit. Trump ka pretenduar se protestuesit pro-palestinezë janë antisemitë dhe simpatizues të Hamasit.

Në javët e fundit, administrata filloi një shqyrtim formal të gati 9 miliardë dollarëve në fondet federale për Harvardin, kërkoi që universiteti të ndalojë praktikat e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes, si dhe të marrë masa të ashpra ndaj disa grupeve pro-palestineze në protesta.

Harvard hodhi poshtë kërkesa të shumta të Trump muajin e kaluar, duke i quajtur ato një sulm ndaj lirisë së fjalës dhe lirisë akademike. Ai paditi administratën Trump pasi ajo pezulloi rreth 2.3 miliardë dollarë fonde federale për institucionin arsimor, ndërsa u zotua gjithashtu të luftonte diskriminimin në kampus.

Në padinë e saj kundër administratës Trump, Harvard tha se shkurtimet e fondeve nga qeveria do të kenë “pasoja të rënda në jetën reale për pacientët, studentët, fakultetin, stafin dhe studiuesit”, ndërsa vënë në rrezik kërkime thelbësore mjekësore dhe shkencore.

Harvard ka një fond prej 53 miliardë dollarësh, më i madhi nga çdo universitet tjetër amerikan, por fondet shpesh janë të kufizuara dhe përdoren për gjëra të tilla si ndihma financiare dhe bursat.

Klan News