Situata në Lindjen e Mesme ka arritur në një pikë kritike ndërsa lufta me Iranin ka hyrë në javën e saj të tretë. Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi se është në bisedime me shtatë shtete për të garantuar sigurinë në Ngushticën e Hormuzit, një pikë nevralgjike ku kalon rreth 20% e naftës botërore dhe që aktualisht është pothuajse e bllokuar.
Në një intervistë për Financial Times, Trump lëshoi një paralajmërim të fortë për aleatët transatlantikë. Ai deklaroi se NATO përballet me një “të ardhme shumë të keqe” nëse anëtarët e aleancës nuk ndihmojnë SHBA-të në operacionet aktuale. Trump kërkon një koalicion detar për të thyer bllokadën iraniane në ujërat e Gjirit.
Ndërsa luftimet intensifikohen, raportohet për bombardime të rënda në kryeqytetin e Iranit, Teheran. Nga ana tjetër, Arabia Saudite njoftoi se ka asgjësuar mbi 60 dronë brenda një nate, ndërsa vendet e Gjirit mbeten nën shënjestrën e sulmeve të vazhdueshme.
Zyra e Medias në Abu Dhabi konfirmoi vdekjen e një civil palestinez, pasi një rakete goditi një zonë civile në rajonin Al Bahia. Fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait kanë rifilluar pjesërisht, pas një pezullimi të detyruar nga goditjet me raketa pranë pistave.
Në një lëvizje tjetër dramatike, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë konfirmuar nisjen e operacioneve tokësore “të kufizuara dhe të shënjestruara” në jug të Libanit. Sipas IDF, qëllimi është goditja e bazave kryesore të Hezbollahut, të cilat shërbejnë si pika lëshimi për sulmet ndaj veriut të Izraelit.
/tvklan.al












Botërori 2026 
