Në një fjalim që zgjati rreth 37 minuta, presidenti amerikan Donald Trump e vendosi Iranin në qendër të fjalës së tij përpara liderëve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Me tone të forta, Trump deklaroi se po shqyrton “asgjësimin” e Iranit, duke argumentuar se Republika Islamike nuk është më fuqia që dikur dominonte në Lindjen e Mesme.

“Kam një vendim të madh për të marrë. A do të bëhet një marrëveshje me Iranin që do t’i lejojë të rindërtohet dhe të krijojë një vend shumë më të madh se sa ka qenë ndonjëherë? Apo do ta asgjësoj Republikën Islamike dhe do ta bëj shpejt?”

Pavarësisht retorikës së ashpër, Trump la të hapur derën për diplomacinë. Sipas tij, një marrëveshje me Iranin mund të arrihet pas zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara.

“Besoj se do të bëjmë një marrëveshje menjëherë pas zgjedhjeve, sepse nuk ka kuptim që ata të mos e bëjnë. Ata po presin të shohin se si do të dal në zgjedhjet e mesmandatit. Ajo që nuk e kuptojnë është se unë nuk po kandidoj”.

Sipas Trump, Irani po ndërtonte një arsenal raketash dhe dronësh që mund të përbënte kërcënim edhe për Evropën. Por, tha ai, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të mos lejojnë rikthimin e këtij kërcënimi.

Ndërsa presidenti amerikan foli për sulmet amerikane ndaj Iranit, pjesëtarët e delegacionit iranian në sallën e Asamblesë së Përgjithshme u ngritën dhe u larguan. Në sallë mbeti vetëm një përfaqësues iranian. Presidenti Masoud Pezeshkian dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi ndodheshin në Nju Jork, por nuk morën pjesë në sallë gjatë fjalimit të Trump.

Në fjalimin e tij, presidenti amerikan Donald Trump shprehu gjithashtu mbështetjen për Bordin e Paqes dhe falënderoi Shqipërinë, duke e përmendur mes vendeve të angazhuara për të ndihmuar në stabilizimin e Gazës.

“Dua të shpreh mirënjohjen time për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për mbështetjen unanime të planit tonë me 20 pika për paqen në Gaza dhe për miratimin zyrtar të Bordit të Paqes. Gati 30 vende i janë bashkuar Bordit, të cilin kam nderin ta drejtoj. Edhe shumë vende të tjera po japin kontribute në nivele që nuk do t’i besonit. Dua gjithashtu të falënderoj vendet që janë angazhuar të dërgojnë trupa, forca policie dhe të ofrojnë trajnime për të ndihmuar në stabilizimin e Gazës, përfshirë Indonezinë, Marokun, Shqipërinë, Kosovën, Kazakistanin, Egjiptin, Jordaninë dhe të tjera. Që kur mora detyrën, kam pasur nderin të ndihmoj në zgjidhjen e tetë luftërave dhe jam bërë mik me udhëheqësit e atyre vendeve”.

Një tjetër objektiv i kritikave të Trump ishte Gjykata Penale Ndërkombëtare. Presidenti amerikan e akuzoi institucionin me seli në Hagë se ka tejkaluar kompetencat dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të largohen prej tij.

“U bëj thirrje të gjitha vendeve anëtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare të largohen zyrtarisht nga ky institucion menjëherë”.

Ndërkohë, sa i përket luftës në Ukrainë, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh optimist se do të arrihet një marrëveshje për përfundimin e konfliktit.

“Po punojmë shumë ngushtë me liderët e Rusisë dhe Ukrainës dhe do ta zgjidhim edhe atë. Do të ndodhë, mendoj, më shpejt nga sa e kuptojnë njerëzit”.

Sa i përket Groenlandës, Trump u shpreh se marrëveshja e arritur me Danimarkën dhe ishullin do të mbrojë kontinentin amerikan dhe Evropën, si dhe do të forcojë NATO-n.

Klan News

/tvklan.al