Ngjarja e natës së mëparshme në Uashington, ku një person i armatosur hapi zjarr brenda hotelit ku presidenti amerikan mbante një takim me përfaqësues të mediave, rikthen në vëmendje një histori të gjatë incidentesh dhe kërcënimesh ndaj tij.
Gjatë viteve, Trump ka qenë disa herë në qendër të situatave të rrezikshme të sigurisë.
Rasti më i rëndë ndodhi më 13 korrik 2024, gjatë një mitingu elektoral në Pensilvani, pak muaj para zgjedhjeve presidenciale. Një person i armatosur hapi zjarr nga një ndërtesë pranë turmës, duke e plagosur Trump në vesh dhe duke vrarë një pjesëmarrës në aktivitet.
Sulmi u konsiderua menjëherë si tentativë atentati dhe autori u neutralizua nga Shërbimet Sekrete brenda pak sekondash.
Vetëm dy muaj më vonë, më 15 shtator 2024, ndodhi një tjetër tentativë atentati në një fushë golfi në Florida. Një person i armatosur u zbulua i fshehur në shkurre pranë vendit ku ndodhej Trump, me një pushkë gjysmë-automatike. Një agjent i Shërbimit Sekret reagoi menjëherë duke qëlluar në drejtim të tij, ndërsa autori u arratis përkohësisht dhe më pas u arrestua.
Hetimet zbuluan se ai kishte planifikuar sulmin për muaj të tërë dhe synonte vrasjen e Trump.
Edhe gjatë vitit 2025, presidenti u përball me kërcënime dhe plane të zbuluara që përfshinin incidente sigurie, por fatmirësisht të parealizuara dhe pa rrezik konkret për presidentin.
Një nga rastet më të hershme ka ndodhur edhe gjatë fushatës presidenciale në vitin 2016, kur një person, turist nga Britania e Madhe, u arrestua në një tubim në Nevada pasi tentoi të merrte armën e një polici. Autoritetet dyshuan se ai kishte për qëllim të sulmonte Trump, edhe pse më vonë rasti mbeti i diskutueshëm për sa i përket qëllimit të vërtetë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 