Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani ka kërkuar rifillimin e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, por paralajmëroi se Teherani do të përballet me pasoja të rënda nëse tërhiqet sërish nga negociatat.

Në një intervistë për televizionin Fox News Trump tha se administrata e tij është e vendosur të mos lejojë që Irani të sigurojë armë bërthamore.

“I vetmi ngushëllim që kam është se thonë se vetëm presidentët me ndikim të madh mbeten në histori. Dhe unë jam padyshim një prej tyre. Nëse shihni ekonominë dhe atë që po ndodh në botë, Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore. Ata tashmë nuk mund ta kenë, por kjo do të formalizohet. Ngushtica e Hormuzit do të hapet shumë shpejt, përndryshe ata do të goditen shumë fort. Dhe nëse kjo ndodh, do të ndërmarrim një sulm të jashtëzakonshëm, më të madhin që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Trump.

Trump pretendoi gjithashtu se zyrtarët iranianë i kanë kërkuar administratës amerikane të ulen në tryezën e bisedimeve. Sipas tij, dialogu ishte i nevojshëm prej dekadash dhe duhej të ishte realizuar nga administratat e mëparshme.

“Ata më telefonuan dhe më thanë me shumë mirësjellje: ‘Ju lutem, a mund të bisedojmë?’ Unë u thashë: Po, mund të bisedojmë. Le ta zgjidhim më në fund këtë çështje. Kjo duhej të ishte bërë nga presidentët e mëparshëm prej më shumë se 50 vitesh. Unë bëra atë që duhej bërë, sepse nëse Irani do të kishte armë bërthamore, kjo botë do të ishte krejt ndryshe”, tha Trump.

Presidenti amerikan shtoi se SHBA-ja i ka goditur tashmë objektivat iraniane, por paralajmëroi se opsione edhe më të ashpra mbeten në tryezë, megjithëse shpreson të mos jetë e nevojshme përdorimi i tyre.

“Ne i goditëm shumë rëndë. Por goditja më e fortë ende nuk ka ardhur dhe shpresoj që të mos kemi nevojë ta përdorim. Po zhvillojmë bisedime shumë të mira. Ata nuk duan ta pranojnë këtë, por është shqetësuese kur ne themi se po zhvillojmë diskutime konstruktive, ndërsa nga Irani dalin dhe thonë se nuk është zhvilluar asnjë takim. Kjo është një gënjeshtër e vazhdueshme”, tha Trump.

Deklaratat e Trump vijnë pasi ai njoftoi se kishte anuluar planet për sulme të mëdha ndaj Iranit, duke lënë të hapur mundësinë e zgjidhjes diplomatike të krizës.

Ndërkohë, Katari bëri të ditur se ndërmjetësit po shënojnë përparim në përpjekjet për uljen e tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Megjithatë, autoritetet iraniane kanë mohuar pretendimin e Presidentit Trump se bisedimet mes palëve kanë nisur tashmë.

Klan News

/tvklan.al