Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se së shpejti do ta shpallë ngushticën e Hormuzit territor të Shteteve të Bashkuara.
Duke folur në një event në Nju Jork, kreu i Shtëpisë së Bardhë u tha mbështetësve se Shtetet e Bashkuara do të marrin rrugën ujore, e cila është kritike për furnizimin global me naftë dhe gaz.
“Pasi të përfundojmë mposhtjen e Iranit, i cili po mposhtet shumë keq, shumë shpejt do ta shpall Ngushticën e Hormuzit një territor të Shteteve të Bashkuara. Ne kemi bllokadën, asnjë anije nuk kalon nëse nuk duam ne.”
Donald Trump u bëri thirrje gjithashtu amerikanëve të pranojnë çmime pak më të larta të benzinës si kosto për të parandaluar Iranin që të ketë armë bërthamore.
“Do të paguani pak më shumë për benzinën tuaj, thjesht mos harroni se po e bëni këtë në mënyrë që një vend shumë i lig të mos ketë armë bërthamore. Thjesht duhet të mbani mend se ajo që po bëjmë është një shërbim i shkëlqyer për botën. Jo vetëm për veten tonë, për botën. Dhe ne po bëjmë vërtet një punë të shkëlqyer. Ushtria jonë është e pabesueshme. Bllokada është e pandalshme. Është një mur çeliku.”
Bisedimet e paqes për t’i dhënë fund konfliktit nuk kanë treguar asnjë shenjë përparimi, ndërsa Ngushtica e Hormuzit mbetet ende e bllokuar.
Zëvendësministri i Jashtëm iranian tha se rruga ujore do të hapet dhe mbyllet vetëm nën komandën e Iranit dhe shtoi se, nëse Shtetet e Bashkuara nuk pranojnë disfatën, bllokada e Teheranit do të vazhdojë.
Ministri i Jashtëm Abbas Araqchi tha se Irani nuk kishte vendosur të rifillonte bisedimet me Shtetet e Bashkuara, pasi Uashingtoni duhet të përmbushë kushtet për ngushticën, në mënyrë që transporti detar të rifillojë në rrugën ujore ku kalonte një e pesta e naftës botërore para luftës.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 