Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se nuk beson se do të jetë e nevojshme të urdhërohet një mision për kapjen e presidentit rus Vladimir Putin, duke shprehur bindjen se konflikti në Ukrainë mund të zgjidhet përmes negociatave.

Gjatë një takimi me kompani të naftës, Trump deklaroi se ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të mirë me Putinin, por u shpreh i zhgënjyer që lufta nuk është mbyllur më shpejt, ashtu siç kishte parashikuar.

“Unë nuk mendoj se do të jetë e nevojshme. Kam pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë me të. Unë kam zgjidhur tetë luftëra. Mendova se kjo do të ishte diku në mes, ndoshta një nga më të lehtat”.

Presidenti amerikan foli edhe për humbjet njerëzore në luftë, duke përmendur shifra të larta viktimash, veçanërisht nga pala ruse, si dhe vështirësitë ekonomike me të cilat po përballet Rusia.

“Vetëm muajin e fundit janë vrarë 31 mijë njerëz, shumë prej tyre ushtarë rusë. Ekonomia ruse po shkon keq”.

Në deklaratat e tij, Trump theksoi gjithashtu se, sipas tij, presidenti rus nuk ndjen frikë nga Europa, por nga fuqia e Shteteve të Bashkuara nën drejtimin e tij, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni mbetet faktori vendimtar për një zgjidhje të konfliktit.

Trump u shpreh optimist se lufta do të përfundojë dhe shtoi se do të kishte preferuar që kjo të ndodhte shumë më shpejt.

Ndërkohë, Britania e Madhe ka njoftuar se do të ndajë 200 milionë paund për përgatitjet e mundshme të dislokimit të trupave në Ukrainë.

Ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey, tha në Kiev se fondet do të përdoren për modernizimin e mjeteve ushtarake, sistemeve të komunikimit, mbrojtjes kundër dronëve dhe përgatitjen e trupave për dislokim.

Njoftimi u bë pak orë pasi Rusia lëshoi një raketë hipersonike Oreshnik, veprim që aleatët evropianë të Ukrainës e cilësuan si përpjekje për t’i frikësuar ata.

Klan News

/tvklan.al