Presidenti amerikan Donald Trump u largua nga Pekini me avionin presidencial Air Force One, pas përfundimit të samitit dyditor me presidentin kinez Xi Jinping, një vizitë që të dy liderët e cilësuan historike për marrëdhëniet mes dy vendeve.

Trump u përcoll nga ministri i Jashtëm kinez Wang Yi, ndërsa takimet në kryeqytetin kinez u fokusuan tek tregtia, tensionet në Lindjen e Mesme dhe raportet strategjike mes Uashingtonit dhe Pekinit.

Në kompleksin e mbyllur qeveritar Zhongnanhai, Xi Jinping rezervoi për Trump një pritje të rrallë diplomatike, duke e shoqëruar personalisht në kopshtet historike të rezidencës së perandorëve kinezë.

Presidenti kinez theksoi se dy kombet kishin krijuar një marrëdhënie të re ‘konstruktive dhe strategjike’.

“Deri tani kemi ndërtuar një marrëdhënie të re mes dy vendeve tona, një marrëdhënie konstruktive dhe strategjike. Kjo mund të quhet një vizitë historike dhe kemi arritur shumë mirëkuptime për rezultate bashkëpunimi”, tha presidenti i Kinës, Xi Jinping.

Presidenti kinez tha se vizita ishte edhe një kthim i mikpritjes që Trump i kishte bërë në Mar-a-Lago në vitin 2017.

Nga ana e tij, Donald Trump vlerëësoi raportin personal me Xi Jinping dhe rezultatet ekonomike të samitit.

“Kjo ka qenë një vizitë e jashtëzakonshme dhe mendoj se ka sjellë shumë të mira. Kemi bërë marrëveshje fantastike tregtare, shumë të mira për të dy vendet. Ai është një njeri që e respektoj shumë. Njihemi prej gati 12 vitesh dhe kemi zgjidhur shumë probleme që të tjerët nuk do të mund t’i zgjidhnin. Marrëdhënia është shumë e fortë”, tha presidenti i SHBA, Donald Trump.

Dy liderët diskutuan edhe për Iranin dhe situatën në Ngushticën e Hormuzit.

“Diskutuam edhe për Iranin. Ne mendojmë njësoj se si duhet të përfundojë kjo situatë. Nuk duam që Irani të ketë armë bërthamore dhe duam që ngushtica të jetë e hapur”, shtoi Trump.

Gjatë një interviste për Fox News, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti kinez kishte lënë të kuptohet se do të donte të shihte një marrëveshje të arritur që përfshinte Iranin dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një korridor kritik global i transportit detar.

Ai tha se Kina ishte zotuar për blerje të mëdha të mallrave amerikane, duke përfshirë avionët Boeing, dhe do të rriste importet e produkteve bujqësore amerikane.

Pekini deri më tani ka heshtur, duke mos konfirmuar dhe as mohuar, një porosi prej 200 avionësh Boeing, për të cilën Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se udhëheqësi kinez Xi Jinping kishte rënë dakord gjatë bisedimeve.

Kur u pyet nëse Pekini ka rënë dakord për blerjen, Guo Jiakun, një zëdhënës i ministrisë së jashtme kineze, nuk iu përgjigj pyetjes drejtpërdrejt, duke thënë vetëm se të dy vendet “duhet të veprojnë mbi mirëkuptimet e rëndësishme të përbashkëta të arritura midis dy krerëve të shteteve dhe të injektojnë më shumë stabilitet në bashkëpunimin dypalësh ekonomik dhe tregtar”.

Trump gjithashtu vuri në dukje një marrëveshje të mundshme që Kina të blejë naftë amerikane, me dërgesa që priten nga shtete si Teksasi, Luiziana dhe Alaska.

Klan News

/tvklan.al