Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar një pauzë treditore për tarifat prej 50% ndaj mallrave kanadeze, pas telefonatës me kryeministrin Mark Carney.

Në një postim në Truth Social, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se është arritur një marrëveshje mes dy vendeve, megjithëse dokumentet përfundimtare ende nuk janë firmosur.

“Kam pezulluar tarifat 50% ndaj Kanadasë, të cilat ishin planifikuar të hynin në fuqi për një periudhë treditore, duke qenë se Kanadaja dhe SHBA-ja, në pritje të finalizimit të dokumenteve, kanë arritur një marrëveshje!”, deklaroi Trump.

Në mbështetje të njoftimit të Trump reagoi edhe Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara për Tregtinë. Në një postim në X, ai tha se marrëveshja do të përfshijë akses të plotë në treg për mallrat amerikane, angazhime për sigurinë ekonomike dhe përafrim në fushën e tregtisë digjitale.

Kryeministri Mark Carney deklaroi se Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar prej javësh diskutime intensive për çështjet e mbetura tregtare.

Carney theksoi se mbetet ende punë për t’u bërë.

“Gjatë javëve të fundit, Kanadaja ka zhvilluar diskutime intensive me Shtetet e Bashkuara për të trajtuar çështjet tregtare të pazgjidhura dhe për të ofruar më shumë siguri e përfitime reale për bizneset, punonjësit, fermerët dhe familjet kanadeze. Është arritur përparim i konsiderueshëm, megjithëse mbetet ende punë e rëndësishme për t’u bërë”, pohoi Carney.

Kanadaja do të mbetet e përqendruar në forcimin e ekonomisë së saj të brendshme, ndërsa negociatat vazhdojnë, theksoi më tej Carney.

Klan News

/tvklan.al