Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka prezantuar një plan për të zhvilluar një sistem mbrojtës për të zbuluar dhe neutralizuar raketat që mund të sulmojnë hapësirën amerikane.

Ai u shpreh se “Kupola e Artë” do të kushtojë 175 miliardë dollarë dhe dëshiron që të jetë “plotësisht funksionale para përfundimit të mandatit”. Trump njoftoi në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë se Gjenerali i Forcave Hapësinore të SHBA-së, Michael Guetlein, do të ishte menaxheri kryesor i programit.

“Gjatë fushatës i premtova popullit amerikan se do të ndërtoja një mburojë mbrojtëse nga raketat e teknologjisë së fundit për të mbrojtur atdheun tonë nga kërcënimi i sulmeve të huaja me raketa. Jam i kënaqur të njoftoj se kemi zgjedhur zyrtarisht një teknologji të gjeneratës së ardhshme në të gjithë tokën, detin dhe hapësirën, duke përfshirë sensorë dhe interceptorë me bazë në hapësirë. Ky dizajn për Kupolën e Artë do të integrohet me aftësitë tona ekzistuese mbrojtëse dhe duhet të jetë plotësisht funksional para përfundimit të mandatit tim. Pra, do ta kemi përfunduar brenda rreth tre vjetësh”, tha presidenti amerikan.

Trump ka kërkuar fillimisht 25 miliardë dollarë për programin në një projektligj gjithëpërfshirës për uljen e taksave që aktualisht po shqyrtohet nga Kongresi.

“Projektligji i vetëm i madh dhe i bukur do të përfshijë 25 miliardë dollarë për Kupolën e Artë për të ndihmuar në nisjen e ndërtimit. Kosto totale të kësaj do të jetë 175 miliardë dollarë kur të përfundojë”, shtoi Trump.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se Kupola e Artë do të “mbrojë atdheun ” dhe shtoi se Kanadaja ka njoftuar se do të jetë pjesë e saj. Kupola do të ketë kapacitetin për të vendosur qindra satelitë për zbulimin dhe ndjekjen e raketave.

Emri dhe koncepti rrjedhin nga sistemi i mbrojtjes ajrore “Iron Dome” i Izraelit, i cili ka kapur mijëra raketa me rreze të shkurtër veprimi dhe predha të tjera që në vitin 2011. Ligjvënësit demokratë kanë shprehur shqetësim në lidhje me përfshirjen e SpaceX të aleatit të Trump, Elon Musk, i cili është shfaqur si një nga konkurrentët kryesorë së bashku me Palantir dhe Anduril për të ndërtuar komponentët kryesorë të sistemit.

Klan News