Presidenti amerikan Donald Trump u përball me fishkëllima nga një pjesë e tifozëve gjatë ndeshjes së tretë të finales së NBA-së në New York, duke u bërë presidenti i parë në detyrë i Shteteve të Bashkuara që ndjek nga afër një finale të kampionatit më të madh të basketbollit amerikan.

Reagimet erdhën pasi mijëra tifozë u detyruan të prisnin për orë të tëra në radhë jashtë arenës “Madison Square Garden”, për shkak të masave të jashtëzakonshme të sigurisë që shoqëruan vizitën e presidentit.

Fishkëllimat shpërthyen në momentin kur kamera e arenës shfaqi Trumpin në ekranet gjigante gjatë interpretimit të himnit kombëtar amerikan. Megjithatë, pas ndeshjes, presidenti minimizoi reagimet negative.

“Besoj se në pjesën më të madhe kishte brohoritje. Atmosfera ishte e zhurmshme dhe shumë entuziaste”, deklaroi Trump para gazetarëve.

Në parket, skuadra e New York Knicks u mposht 115-111 nga San Antonio Spurs në ndeshjen e tretë të serisë finale, duke e çuar rezultatin e përgjithshëm në 2-1 për Knicks.

Trump ndoqi ndeshjen i shoqëruar nga mbesa e tij Kai Trump, pronari i Knicks, James Dolan, si dhe disa anëtarë të administratës së tij, mes tyre sekretari i Transportit Sean Duffy, sekretari i Brendshëm Doug Burgum, administratori i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit Lee Zeldin dhe i dërguari special Steve Witkoff.

Vizita e presidentit solli masa të rrepta sigurie në qendër të Manhattanit. Zonat përreth “Madison Square Garden” u mbyllën për këmbësorët dhe automjetet, ndërsa mijëra efektivë të policisë së Nju Jorkut dhe qindra agjentë të Shërbimit Sekret u angazhuan për garantimin e sigurisë.

Tifozët u detyruan t’i nënshtroheshin kontrolleve të ngjashme me ato të aeroporteve, ndërsa bizneset dhe lokalet e zonës raportuan rënie të klientelës për shkak të kufizimeve të lëvizjes.

“Po e prish atmosferën e Knicks”, tha një banor i New York për BBC, duke iu referuar masave të sigurisë.

Finalja e këtij sezoni ka ngjallur entuziazëm të jashtëzakonshëm në qytet, pasi Knicks luajnë në finale për herë të parë që nga viti 1999. Në tribunat pranë parketit ishin të pranishëm edhe emra të njohur të botës së artit dhe kinemasë, si Tracy Morgan, Tina Fey, Ben Stiller dhe Timothée Chalamet.

Megjithëse shumë tifozë u ankuan për bllokimet dhe vonesat e shkaktuara nga vizita presidenciale, pati edhe nga ata që e vlerësuan praninë e Trumpit në një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive të vitit.

“Na prishi pak planet dhe festimet, por është interesante që presidenti dëshiron të jetë pjesë e kësaj atmosfere”, tha tifozi Anthony Pulley për AFP.

Ndërkohë, çmimet e biletave për finalen kanë arritur nivele rekord. Në tregun e rishitjes, biletat më të lira kushtonin mbi 10 mijë dollarë, ndërsa disa vende kapnin shifrën e mbi 100 mijë dollarëve. I pyetur për këto çmime, Trump u përgjigj me humor: “Kështu është jeta. Të paktën mund ta shikosh pothuajse falas në televizor.”

/tvklan.al