Presidenti amerikan Donald Trump, presidenti rus Vladimir Putin dhe lideri kinez Xi Jinping kanë zhvilluar takimin e tyre të parë trepalësh, në një takim që zgjati 90 minuta në qytetin Shenzhen të Kinës, në kuadër të samitit të APEC-ut.

Pas bisedimeve, tre liderët publikuan një deklaratë të përbashkët për paqen, ku theksuan se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë. Ata u shprehën gjithashtu të gatshëm për të bashkëpunuar në uljen e numrit të armëve bërthamore dhe për të reformuar Organizatën e Kombeve të Bashkuara, me qëllim përballimin më të mirë të sfidave ndërkombëtare.

Në deklaratë u përmend edhe rritja e prodhimit dhe furnizimit me naftë, si dhe nevoja që Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe institucionet e tjera të ngjashme të mos tejkalojnë kompetencat e tyre.

Përpara takimit trepalësh, Trump zhvilloi një takim të veçantë me Putinin, i pari që nga gushti i vitit 2025, ku e përshëndeti presidentin rus duke e quajtur “mikun” e tij. Ai zhvilloi gjithashtu një bisedë me Xi Jinping, marrëdhënien me të cilin e përshkroi si “shumë të veçantë”.

Gjatë deklaratave të tyre, liderët u ndalën te çështjet kryesore ndërkombëtare, veçanërisht te lufta në Ukrainë, siguria energjetike dhe rreziku i përhapjes së armëve bërthamore.

Xi Jinping theksoi se bashkëpunimi mes fuqive të mëdha është një domosdoshmëri, ndërsa Putin u shpreh se ekziston një interes i përbashkët për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Nga ana e tij, Trump deklaroi se tre vendet kanë një përgjegjësi të veçantë për të ruajtur dialogun dhe për të shmangur konfliktet. Ai paralajmëroi gjithashtu se SHBA-ja nuk do të lejojë që Irani të sigurojë armë bërthamore.

Pas takimit, Putin e cilësoi atë si një moment të rëndësishëm në historinë e diplomacisë dhe deklaroi se Rusia është e gatshme të diskutojë për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë. Megjithatë, ai pretendoi se Ukraina dhe vendet evropiane nuk janë ende të gatshme për kompromis.

Deklaratat e presidentit rus erdhën në një kohë kur kryeqyteti ukrainas, Kievi, po përballej me sulme me dronë rusë. Putin nuk përmendi sulmet e vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës dhe zonave të banuara në Ukrainë, ndërsa paralajmëroi një përgjigje “shumë më të dhimbshme” ndaj sulmeve ukrainase kundër urës që lidh Rusinë me Krimenë e pushtuar.

Presidenti rus iu referua edhe Konferencës së Jaltës të vitit 1945, ku fuqitë kryesore të asaj kohe diskutuan rendin botëror pas Luftës së Dytë Botërore. Ai tha se atëherë nuk ishte ndarë bota, por ishin pranuar realitetet e krijuara pas luftës, duke shtuar se edhe konfliktet e sotme duhet të zgjidhen duke marrë parasysh situatën në terren.

Ndërkohë, Xi Jinping e vlerësoi takimin si pozitiv dhe produktiv, duke kujtuar edhe bashkëpunimin mes tre vendeve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe rëndësinë e ruajtjes së paqes.

Takimi trepalësh thuhet se ishte një ide e Vladimir Putinit dhe është cilësuar nga disa media ruse si një fitore diplomatike për Kremlinin. Kjo pasi, që nga nisja e luftës në Ukrainë në vitin 2022, shumë liderë perëndimorë kanë shmangur kontaktet me presidentin rus dhe kanë kërkuar izolimin e Moskës në arenën ndërkombëtare.

Samiti shënon gjithashtu pjesëmarrjen e parë të Putinit në një takim të madh ndërkombëtar, ku janë të pranishëm liderë nga vende si Kanadaja, Japonia dhe Australia, që prej fillimit të luftës në Ukrainë.

/tvklan.al