“SHBA-të i bënë botës një nder duke nisur luftën kundër Iranit”, kështu u shpreh Donald Trump në samitin “Mburoja e Amerikave” në Miami të Floridës.

Drejtuar një sërë udhëheqësish të Amerikës Latine, shefi i Shtëpisë së Bardhë theksoi se forcat amerikane kanë rrëzuar “42 anije të Marinës” brenda tre ditësh, si dhe forcën ajrore dhe telekomunikacionin iranian.

“Po ecim shumë mirë në Iran. Rezultati ka qenë mahnitës. Kemi nxjerrë jashtë loje 42 anije të Marinës, disa prej tyre shumë të mëdha, brenda tre ditëve. Ky ishte fundi i Marinës së tyre. Asgjësuam Forcat e tyre Ajrore. Shkatërruam komunikimet dhe të gjitha telekomunikimet kanë rënë. Nuk e di si komunikojnë, por supozoj se do ta gjejnë një mënyrë. Janë thjesht njerëz të këqij kur sheh 7 tetorin dhe pas tij, shihni gjithë ato vrasje që kanë bërë ndër vite, për 47 vjet”.

Trump e përshkroi operacionin si një sukses të madh dhe tha se sulmet kishin dhënë një goditje vendimtare aftësive ushtarake të Iranit, ndërsa shtoi se lufta është “një shërbim që ne po i ofrojmë, jo Lindjes së Mesme, por botës”.

“Ata ishin shumë pranë një arme bërthamore. Do ta kishin pasur një nëse ne nuk do të kishim goditur. Do ta kishin pasur tetë muaj më parë. Janë të çmendur dhe do ta kishin përdorur. Kështu që i bëmë botës një nder. Si gjithmonë, kur bëhet fjalë për luftë, gjithmonë ka. Por ne do ta mbajmë atë në minimum. Dhe do të jetë diçka shërbimi që ne po ofrojmë vërtet, jo për Lindjen e Mesme, por për botën”.

Po ashtu, shefi i Shtëpisë së Bardhë theksoi edhe një herë se sulmet nuk do të ndalojnë derisa Irani të dorëzohet pa kushte.

Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se 28,000 qytetarë janë kthyer shëndoshë e mirë në SHBA nga vendet e Lindjes së Mesme që kur nisën sulmet më 28 shkurt.

Më herët, presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, u kërkoi falje vendeve fqinje për sulmet, duke theksuar se Irani nuk synon pushtimin, por bashkëpunim dhe qetësi.

Ndërkohë, sulmet kanë vijuar, pasi një dron goditi aeroportin e Dubait, çka solli pezullimin e përkohshëm të fluturimeve vetëm pak orë pasi Irani kërkoi falje. Nga videot e filmuara nga dëshmitarët shihen shtëllunga tymi që ngrihen në qiell.

Ndërsa në Iran, aeroporti “Mehrabad” është përfshirë nga flakët dhe tymi pas një vale të re sulmesh izraelite. Ushtria e Izraelit konfirmoi nisjen e një operacioni të gjerë, duke goditur objektiva që konsiderohen kërcënim për forcat e saj ajrore, përfshirë infrastrukturën mbrojtëse të aeroportit.

Sulmet e SHBA-ve dhe Izraelit kanë vrarë të paktën 1 mijë e 332 civilë iranianë dhe kanë plagosur mijëra persona.

Ndërkohë në Izrael kanë humbur jetën 11 persona dhe janë vrarë të paktën gjashtë ushtarë amerikanë.

Izraeli sulmoi gjithashtu Libanin fqinj, ku tha se po godet objektiva iraniane dhe të Hezbollahut, duke shkaktuar dhjetëra viktima. Gjithashtu ka urdhëruar evakuimin e të gjitha periferive jugore të kryeqytetit.

Klan News

/tvklan.al