Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ngritur pikëpyetje mbi praninë ushtarake amerikane në Evropë, duke deklaruar se mund të konsiderojë tërheqjen e trupave nga Gjermania, Italia dhe Spanja.
Në një deklaratë për mediat, Trump kritikoi ashpër aleatët evropianë për mungesë mbështetjeje ndaj SHBA-së në momente të rëndësishme.
“Po, ndoshta, ndoshta do ta bëj. Pse jo? Italia nuk ka qenë aspak ndihmë për ne. Spanja ka qenë e tmerrshme. Absolutisht e tmerrshme. Ne i kemi ndihmuar ata me Ukrainën, një situatë që ata vetë e krijuan. Dhe ne dhamë 350 miliardë dollarë, që ishte çmenduri. Kjo është një nga arsyet pse lufta vazhdoi”, tha Trump.
Trump theksoi gjithashtu se, sipas tij, aleatët nuk i janë përgjigjur në mënyrë të ndërsjellë kërkesave të SHBA-së, duke përmendur edhe tensionet në Lindjen e Mesme dhe çështjen e Iranit.
“Kur ne kishim nevojë për ta, ata nuk ishin aty. Duhet ta mbajmë mend këtë. Ata përdorin Ngushticën e Hormuzit, ne jo. Dhe prapë nuk donin të përfshiheshin. Nuk mund të lejojmë që Irani të ketë armë bërthamore. Nëse pajtohemi për këtë, atëherë ajo që kemi bërë është ekzekutuar në mënyrë perfekte”, tha Trump.
Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur Uashingtoni po shqyrton reduktimin e pranisë ushtarake në Gjermani, ku aktualisht janë të stacionuaar mbi 36 mijë trupa amerikane, numri më i lartë në Evropë.
Ndërkohë, në Itali ndodhen mbi 12 mijë dhe në Spanjë rreth 3 mijë e 800 ushtarakë amerikanë.
NUMRI I TRUPAVE AMERIKANE
GJERMANI – 36,436
ITALI – 12,600
SPANJE – 3,800
Gjermania, megjithëse ka ofruar mbështetje të kufizuar për SHBA-në, kryesisht përmes përdorimit të bazave ajrore për operacione të lidhura me konfliktet ka treguar kujdes për të mos u përfshirë drejtpërdrejt në veprime luftarake ofensive.
Autoritetet gjermane kanë sinjalizuar gjithashtu gatishmëri për të kontribuar në fazën pas konfliktit, përfshirë një mision të mundshëm ndërkombëtar stabilizimi.
Në këtë kuadër, Berlini ka njoftuar vendosjen e një anijeje minahedhëse në Detin Mesdhe, në funksion të përpjekjeve për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit pas përfundimit të armiqësive.
Nga ana tjetër, deklaratat e Trump janë pritur me habi në Itali, pasi Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, u shpreh për mediat italiane se nuk i kupton arsyet e komenteve të kreut të Shtëpisë së bardhë, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit mes aleatëve në kuadër të NATO.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
