Donald Trump u duk optimist për suksesin e negociatave që synojnë të bindin Ukrainën të pranojë planin e tij 28-pikësh për përfundimin e luftës me Rusinë.

Gjatë bisedës me gazetarët në avionin presidencial, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se bisedimet po ecin mirë, me përjashtim të disa problemeve të vogla, të vështira për Ukrainën, siç u shpreh ai.

Trump iu referua takimit të së dielës në Florida mes negociatorëve amerikanë Marco Rubio, Steve Witkoff dhe Jared Kushner me përfaqësuesit ukrainas të kryesuar nga Rustem Umerov, përfaqësues i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës.

Se në ç’fazë janë bisedimet, kjo mbetet e paqartë pasi palët nuk flasin me detaje për zhvillimet e bisedimeve. Megjithatë, besohet se ndasitë qëndrojnë tek thelbi i hershëm i mosmarrëveshjeve: lëshimi i territoreve që Ukraina duhet t’u bëjë rusëve në zonat ku ka hyrë ushtria e tyre, të cilat janë përfshirë tashmë edhe në planin e paqes të Donald Trumpit.

Negociatori amerikan Steve Witkoff do të shkojë të martën në Moskë për të vijuar bisedimet me Vladimir Putinin, duke kërkuar një kuadër të pranueshëm për të dyja palët. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua në Paris me shefin e Elizesë, Emmanuel Macron.

Ukraina kërkon nga vendet europiane mbështetje për ruajtjen e sovranitetit, garantimin e sigurisë dhe një paqe të qëndrueshme.

Tv Klan

/tvklan.al